Vrasja e spiunit, tensione Indi-Pakistan

02/05/2013 15:45

Vrasja e një spiuni indian, i cili po vuante dënimin e tij për spiunazh në një burg pakistanez, ka rikthyer tensionet e fuqishme midis dy vendeve aziatike, me një të shkuar të gjatë konfliktesh të armatosura dhe përplasjesh verbale.

Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, kërkoi të enjten që vrasësi dhe të gjithë ata që janë përfshirë në këtë krim, të vendosen përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Sarabjit Singh ishte dënuar për spiunazh për llogari të Indisë në Pakistan. Ai u vra duke u qëlluar në kokë me disa tulla, të hyra në ambientet e izolimit në mënyrë të paqartë, në një burg pranë qytetit të Lahores.

Singh ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë pakistaneze në vitin 1991, por dënimi i tij ishte konvertuar në burgim të përjetshëm.

”Është veçanërisht e dënueshme që qeveria pakistaneze nuk dëgjoi apelin e përsëritur të Indisë, organizatave ndërkombëtare dhe familjes së Sarabjit, në lidhje me shkeljen e përsëritur të të drejtave të tij njerëzore”, shtoi kryeministri Singh.

Gjatë aktivitetit të tij të spiunazhit, Singh i ofroi Indisë disa dokumenta tepër sekret mbi planifikimin ushtarak të Pakistanit, ndërsa ishte i përfshirë edhe në vendosjen e një bombe, që i kushtoi jetën 14 qytetarëve në vitin 1990.

Peticionet e vazhdushme për lirimin e tij u refuzuan nga Pakistani, ashtu si kërkesat e familjes për rigjykim, mbi bazën e provave që sipas tyre, do të provonin pafajësinë e Singhut.

India dhe Pakistani, dy shtete që zotërojnë armë bërthamore, u bënë protagonistë të disa konflikteve të armatosura në vitet 1960-70, ndërsa tensionet vazhdojnë të jenë të larta edhe sot, për shkak të përballjes për sovranitetin e Kashmirit, një krahinë me popullsi të përzjerë, e ndarë përgjysmë midis dy shteteve.

Top Channel