Top-Story, diplomacia dhe “incidenti i Vjenës”

02/05/2013 00:00

Ndërsa fushata zgjedhore tashmë ka filluar që prej disa javësh, palët nuk mjaftohen më me ballafaqime programesh, pasi çdo argument, sado i vogël është i mjaftueshëm për të sulmuar palën tjetër.

Qartësisht, kjo fushatë po ravijëzohet si më e ashpra dhe e dyluftuara ndonjëherë, midis dy kampeve të konsolidurara, që kanë grupuar të gjitha partitë rreth tyre, me përjashtim të dy forcave që kanë vendosur të jenë të vetme.

Së fundmi, një argument përplasje është shndërruar incidenti i ndodhur në Vjenë, ku në rrethana të paqarta, lideri i opozitës u konfliktua me diplomatin Egin Ceka, në Akademinë Politike të kryeqytetit austriak.

Mbi këtë çështje, mazhoranca miratoi një komision hetimor dhe natyrisht, komisioni, gjendja e diplomacisë shqiptare, rëndësia e incidentit në imazhin e vendit e fushata e ashpër zgjedhore në zhvillim, u vu në qendër të vëmendjes së emisionit të përjavshëm politik të Sokol Ballës, në “Top-Story”.

Për të debatuar mbi këtë çështje, nga Partia Socialiste ishin të pranishme në studio dy zonja, Ermonela Felaj e Lindita Nikolli, ndërsa nga ana e demokratëve, zoti Fatbardh Kadilli, kryetar i komisionit hetimor dhe deputeti tjetër demokrat, Luçiano Boçi.

Komisioni hetimor për incidentin e Vjenës, nepotizmi dhe niveli i shërbimit tonë diplomatik.

”Pas kësaj ngjarje të ndodhur, të konfirmuar nga shumë dëshmitarë, Partia Socialiste është përfshirë në një fushatë të gjerë të dëmtimit të imazhit të diplomatit, duke e sulmuar si muxhahedin, si njeri i denigruar, etj. Kjo është një ngjarje e rëndë, kur tejkalimi verbal mes krytetarit të opozitës kalon limitet, në prekje fizike dhe ky është një incident i rëndë, i ndodhur në prani të të huajve dhe në një shtet të huaj. Më e keqja, ka ndodhur në një event politik, jo në një kafene e mbi të gjitha, pas një debati mbi konsedierata që lidhen me zhvillimet në Shqipëri”, komentoi kryetari i komisionit hetimor, zoti Kadilli.

Një qëndrim krejtësisht të ndryshëm mbajti deputetja socialiste Felaj, e cila me ironi komentoi se “veshi i Cekës, më shumë duket se ju dhemb juve se atij vetë”. “Ne zgjodhëm të mos ishim pjesë e një farse në lidhje me komisionin hetimor. Në vend që të ngrihet një komision për të hetuar lidhjet nepotike në diplomaci, të komenteve e sjelljeve krejt pa etikë dhe jashtë vendit të diplopmatëve shqiptarë që ju keni caktuar, komision se sa njerëz të paaftë ka shërbimi juaj, ju nisni një hetim ndaj djalit të ambasadorit tonë në Romë, në një komision të drejtuar nga ju, që keni lidhje personale me të”.

Në akuzën e saj, Felaj vazhdoi: “Ju i përkisni asaj kategoria që i shpallni vendimet dhe pastaj hetoni. Komisioni ka vënë në shënjestër liderin e opozitës e kërkon të hedhë baltë ndaj tij e ajo që vë në lëvizje komisioni është zilia që lideri i opozitës sot pritet në cdo kancelari dhe vazhdon takime si kryeministër i ardhshëm, ndërsa i juaji është kryeministër në ikje, ndaj komisioni nuk do të prodhojë asgjë, ndërsa vetëm do të abuzojë me paratë e taksapaguesve”.

”Mbi nivelin e diplomacisë dhe nepotizmin, që për ju nuk është problem, ju kujtoj që dhëndri i zonjës Topalli sot është në shërbimin tonë diplomatik. Ju kujtoj se shumë të tjerë me lidhje farefisnore e të gjithë ata që negociuan marrëveshjen e ujrave me Greqinë janë sot në shërbimin publik”, komentoi Felaj, mbi një batutë të shkëmbyer me zotin Boçi.

Duke iu rikthyer çështjes se nepotizmit, zoti Kadelli theksoi se nuk ka asnjë pengesë ligjore, përse dy persona të së njëjtës familjes apo farefis të punojnë në shërbimin diplomatik. “Nepotizimi nuk ka pengesë ligjore. Nëse do të kishte, argumenti i zonjës Felaj do të ishte i vërtetë. Ju kujtoj se në vitin 2005, Partia Demokratike miratoi një ligj me synimin e ndalimit të lidhjeve nepotike në dogana e tatime, atje ku qarkullojnë me të vërtetë paratë. Megjithatë, Partia Socialiste e çoi këtë ligj në Gjykatë Kushteutese dhe e rrëzoi”.

”Ju kujtoj se këto akuzat e emërimeve nepotike u bënë edhe në rastin e emërimeve të zotit Meta, por këto nuk thuhet më tani”, hyri në bisedë deputeti i djathtë, Luçiano Boçi. “Kjo çështe e incidentit është në hetim dhe ju kujtoj që objekti i hetimit nuk janë persona. Objekti i punës është hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve të 24 prillit në Akademinë Diplomatike të Vjenës dhe nuk është faji ynë që Rama është objekt i këtij fenomeni. Hetimi bëhet me qëllim mbrojtjen e imazhit të Shqipërisë dhe do të zbulojmë pa dyshim të vërtetën, kemi dëshmitarë, ka pasur reaksion dhe shqetësimi parlamentar është i natyrshëm se është në interes të publikut të zbardhet kjo ngjarje”.

”Veshi juaj po dhemb më shumë se i Erginit. Arsyet janë nga më mjeranet sepse e gjithë kjo histori, ky reagim i juaji, synon vetëm të baltosë kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë, e jo të zbardhë ndonjë të vërtetë, siç nuk u zbardh ajo situatë e vështirë që denoncoi ambasadori ynë në SHBA, që shteti e ka shndërruar në histori të turpshme për vendin. Diplomacia duhet të japë përgjigje përse ndodh me diplomatët tanë që të ketë sjellje të tilla, përse qëndrojnë në vendet e tyre edhe kur i kalon mandate, ku të afërmit e politikanëve bëhen diplomatë. Këto janë situata që nuk ndodhin në demokraci funksionale, në një vend që kërkon të integrohet në Europë. E gjithë kjo tymnajë ka një qëllim të vetëm, që të errësojë takimet që zoti Rama, si kryeministër i ardhshëm, bëri me kryeministrin e Austrisë dhe drejtues të tjerë të lartë të vendit”.

Sa diplomatike ka qenë sjellja e zotit Ceka në atë që sot quhet “incidenti i Vjenës”. Për deputetin e Partisë Demokratike dhe anëtar i Komisionit Hetimor, Luçiano Boçi, Ceka është sjellë korrekt, ndërsa kreu i opozitës jo: “Ceka është sjellë si diplomat i vërtetë. Gjatë fjalës së tij, zoti Rama ka bërë akuzat ndaj trupës diplomatike në përgjithësi. Rama i ka bërë këto akuza ndërsa Ceka nuk ka reaguar. Pas mbarimit të takimit ai e ka takuar në mënyrë individuale për t’i shprehur mendimet e veta. Sjellja e Cekës ka qenë diplomatike. Nuk ktheu dorë ndaj Ramës, është treguar diplomat i klasit, ruajti qetësinë, ndërsa lideri i opozitës nuk ruajit qetësinë.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Partisë Socialiste, kandidate për deputete në zgjedhjet e 23 qershorit, Lindita Nikolli hodhi dyshime për aftësinë profesionale të shërbimit diplomatik shqiptar. Ajo solli si shembull një deklaratë të ish-presidentit Topi, i cili tha se pasi u anatemua nga kryeministri Berisha, nuk pritej nga ambasadorët dhe diplomatët e tjerë të shtetit shqiptarë gjatë vizitave jashtë vendit.

Në pjesën e tretë të emisionit, përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës argumentuan se përse shqiptarët duhet të votojnë njërën apo tjetrën palë. Dy përfaqësuesit e mazhorancës thanë se do marrin votëbesimin e shqiptarëve për ato që kanë bërë dhe për të tjerat që do të bëjnë në mandatin e tretë.

Por deputetja Felaj kundërshtoi duke deklaruar se aktualisht, situata në cdo fushë të vendit, është skandaloze. Ndërsa Lindita Nikolli foli për programin e PS-së, si uljen e taksave, nxitjen e biznesit të vogël dhe ndihmën për bujqësinë.

Top Channel