Tajlandë, 6 të vrarë në jug të vendit

02/05/2013 00:00

Gjashtë persona, mes të cilëve një fëmijë, janë vrarë në një sulm të armatosur në jug të Tajlandës.

Të paktën katër persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj një dyqani në provincën e Pattanit, për t’u larguar më pas në bordin e motorçikletave.

Sulmi vjen disa ditë pas mbajtjes së raundit të dytë të bisedimeve për paqen mes separatistëve myslimanë dhe qeverisë tajlandeze.

Mbi 5 mijë persona janë vrarë që nga nisja e rebelimit separatist në rajonin me shumicë myslimane në vitin 2004. Një ndërmjetës është mes personave të vrarë, ndërkohë që nga të shtënat një person i gjashtë ka mbetur i plagosur.

Të gjithë viktimat mendohet të jenë budistë. Një shënim i lënë në vendin e ngjarjes nuk e identifikon grupin që fshihet pas sulmit, por thuhet se vrasjet mund të jenë një hakmarrje për vdekjet e disa prej anëtarëve të tij.

Autoritetet i referohen një ngjarjeje të ndodhur rreth 3 muaj më parë, kur 16 rebelë u vranë në përpjekje për të marrë nën kontroll një bazë ushtarake tajlandeze.

Ky sulm shton më shumë dyshimet për efikasitetin e proçesit të paqes mes qeverisë tajlandeze dhe grupit separatist rebel BRN.

Dy raunde bisedimesh janë mbajtur deri tani në Malajzi, i fundit prej tyre javën e kaluar, ku negociatorët i bënë thirrje liderëve të rebelëve që të tregojnë fleksibilitet duke ulur sulmet.

Tajlanda është një vend me shumicë budiste, por myslimanët janë shumicë në tre provincat jugore të Jalasë, Pattanit dhe Narathiuatit.

Top Channel