Mustafa Nano – Partitë kanë ndezur motorët e makinave të tyre elektorale
(janë të vetmet “makina” që funksionojnë për bukuri në Shqipëri), dhe
po demonstrojnë se nuk duan të ndalen përpara objektivit të tyre për të
ardhur në pushtet apo për të mbajtur pushtetin.
Dhe as që u shkon në mendje të bëjnë pyetjet e thjeshta: Po pastaj? Ja erdha në pushtet, po pastaj? Çfarë do të bëj me atë pushtet, që do më japin? Si do t’ia bëj me problemet e mëdha të këtij vendi? Dhe mbi të gjitha, si do t’ia bëj me ekonominë dhe me financat, që – po të citonim gruan më me pushtet e më pa edukatë të këtij vendi, do thoshim – kanë shkuar për lesh.
Nuk është se nuk është folur për këto argumente. Gazetarët, ekonomistët dhe opozita u kanë rënë prej kohësh borive të alarmit (dhe njerëz të caktuar të mazhorancës kanë tentuar ta prishin heshtjen, e të pranojnë krizën), por duket se prapëseprapë, secili prej atyre që kanë denoncuar krizën, në mendje ka vetëm një nënfish të situatës reale. Financat e shtetit shqiptar dhe gjendja ekonomike e vendit, janë shumë më keq se sa mund të jetë menduar. Dhe ç’është më e keqja, ne kemi vënë re deri më sot vetëm atë dramë që na japin shifrat e qeverisë, e cila (qeveria) është i vetmi burim që kemi. Mirëpo, sa herë që qeveria është e interesuar të jetë i vetmi burim shifrash e statistikash, ka një arsye të fortë që e bën këtë. Logjika ta thotë se një qeveri sillet kështu, ngaqë nuk do t’i dalin të palarat në shesh. Ndryshe, do e kishte ndërtuar me kohë një institut të pavarur të statistikave, një bankë qendrore plot autoritet, dhe do kish rënë dakord pa asnjë problem që të hapeshin letrat, bash siç bëjnë qeveritë serioze nëpër botë, që nuk i tremben transparencës.
Po spekuloj? Ok, po i lë spekulimet e po mbahen te shifrat e të dhënat e qeverisë sonë, që mund të lexohen në të gjitha faqet ëeb të ministrive e të institucioneve, duke supozuar se këto të fundit nuk kanë asnjë interes për të fshehur gjërat. Unë vetë po i marr të hazërta nga një intervistë që Ermelinda Meksi ka dhënë për “Shqipin”. Ajo pretendon se i ka marrë nga të dhëna të publikuara të qeverisë, e nuk ka pse të mos besohet për këtë. Përveç kësaj, intervista ka tri ditë që ka dalë në dritë, e nuk ka pasur asnjë përgënjeshtrim.
Deri në vitin 2012 ka pasur një rritje vjetore graduale të të ardhurave buxhetore (të ardhura që vijnë nga taksat apo nga aktiviteti i ndërmarrjeve shtetërore e publike). Por tani është vërejtur një rënie e këtyre të ardhurave, krahasuar me vitin e shkuar, në masën 3,6%. Madje, të ardhurat buxhetore të sivjetme janë më të ulëta se ato të vitit 2010, gjë që në një farë mënyre do të thotë se jemi kthyer tre vjet më pas.
Ja dhe një e dhënë tjetër: Shpenzimet korrente që nuk prodhojnë rritje ekonomike (interesat e borxhit tonë publik, pagat, pensionet dhe asistenca sociale) janë rritur në mënyrë të vazhdueshme nga viti në vit. Janë rritur, krahasuar me vitin e kaluar, në masën 6,4% dhe krahasuar me vitin 2010 në masën 22%.
Një e dhënë e tretë: për herë të parë pas shumë vitesh, qeveria ka filluar të marrë borxh për të paguar rrogat e pensionet, dhe sipas Meksit, ky fakt “është një kambanë alarmi që lajmëron një situatë kritike”, dhe që tregon se “ekonomia shqiptare nuk është më në zonën portokalli, por ka hyrë në zonën e kuqe”. Këto fakte kanë sjellë që të bien investimet apo shpenzimet që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit (krahasuar me vitin e kaluar, kemi një rënie 9%).
Intervista e Meksit është e mbushur me shifra, por të mbetet në mendje një përfundim i saj: “ekonomia shqiptare ka rritje që ushqehet vetëm nga borxhi, dhe një rritje e tillë në thelb nuk është reale, por iluzore, sepse ajo nuk prodhon të ardhura dhe ushqehet nga borxhi”. Dhe ky borxh, pasi u hoq tavani prej 60% të GDP-së, është rritur dhe rrezikon të rritet në vijimësi (në rrethanat që të ardhurat buxhetore vijojnë të bien). Dhe kështu, në këto kohë të krizës asnjë qeveri nuk do të ketë mundësi ta shfrytëzojë borxhmarrjen si një incentiv ekonomik, gjë që ua sugjeron nobelisti Paul Krugman një numri qeverish. Arsyeja është e thjeshtë. Borxhi në versionin Krugman-ian vlen kur merret për t’u përdorur në funksion të rritjes ekonomike, e nuk ka se si të vlejë në kushtet kur merret për të paguar rroga e pensione. Dhe ky rasti i fundit është rasti ynë. Berisha ka siguruar deri para pak kohësh një rritje ekonomike në saj të borxheve që ka marrë, dhe e ka sjellë situatën në pikën që ai vetë kërkon borxh për të mbuluar kostot “fiziologjike” të shtetit, d.m.th rrogat e pensionet.
Të dhënat e mësipërme janë vetëm një pjesë e vogël e panoramës ekonomike e financiare të vendit. Një panoramë e plotë do të na jepte një ide fare të qartë mbi situatën, ku ndodhemi dhe opozita, ndonëse ka dhënë shenja se këtë panoramë e ka të qartë, nuk po jep shenja që e di mirë se ç’do të thotë të marrësh pushtetin më 23 qershor. Rama do duhej t’ua kish bërë me dije shqiptarëve se, në rast se vjen në pushtet, do të ketë peshqesh një situatë njimend dramatike që është krijuar nga qeveritë “Berisha”. Ai nuk e ka përcjellë këtë mesazh, ngaqë ka pasur frikë se mund të ftohte masa të tëra votuesish, e me këtë sjellje e ka komplikuar qeverisjen e vet pa marrë ende frenat e saj në duar. Të qeverisësh një vend mund të jetë një sfidë e bukur për t’u përballuar (për ata që e shohin kështu, kuptohet), por këtë herë ajo është një minë me sahat që do t’i bjerë në dorë Ramës, apo do t’i mbetet në duar Berishës. Që të dy nuk kanë pasur kurajën t’i përgatisin shqiptarët për ditët e vështira që do vijnë. Në vend të kësaj, kanë preferuar t’i nanurisin me premtime.
Top Channel