BQE shkurton normat e interesit

02/05/2013 00:00

Banka Qendrore Evropiane ka shkurtuar normat e interesit në një rekord të ri uljeje, në përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike në një kohë frike për ekonominë e eurozonës.

Shkurtimi është i pari në 10 muaj dhe ka lëvizur nga 0.75 në 0.5 për qind, pas kërkesave të shumta për shkak të rritjes së shqetësimeve për ekonominë dhe rënies së inflacionit.

Të dhënat zyrtare të publikuara të martën treguan rekordin maksimal të papunësisë në vendet e eurogrupit dhe inflacionin në rënie për të tretin vit rresht.

Kjo ka rritur parashikimet e zymta për ekonominë e eurozonës, ku shumë vende anëtare vazhdojnë të jenë në reçesion ose të vuajnë nga rritja e ulët.

Shumë ekonomistë kishin spekuluar prej kohësh për uljen e normave të interesit nga BQE, por të dhënat e publikuara këtë javë i bënë shkurtimet edhe më urgjente.

Shumica e ekonomistëve, të intervistuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, parashikonin se normat do të reduktoheshin pikërisht në kuotën 0.5 për qind.

Tregjet ka të ngjarë të reagojnë pozitivisht ndaj këtyre shkurtimeve, por nuk është e qartë se çfarë impakti ky veprim do të ketë në ekonominë reale.

Në muajt e fundit janë shtuar thirrjet që vendet evropiane të heqin dorë nga masat tradicionale anti-krizë, të cilat sipas kritikëve po pengojnë rritjen ekonomike.

Top Channel