Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka kërkuar admiralit James Stavridis ndihmën e NATO-s për zbatimin në terren të marrëveshjes me Serbinë.

Në një takim të zhvilluar paraditen e së mërkurës në Prishtinë, zonja Jahjaga ka deklaruar se roli i Aleancës në implementimin e paktit të Brukselit është jetik.

“Është me rëndësi që NATO të ndihmojë në proçesin e zbatimit të marrëveshjes, duke garantuar sigurinë për të gjithë qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Presidentja ka garantuar se nga ana e saj, Prishtina është e angazhuar të përmbushë detyrimet e marrëveshjes, “e cila çon drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, ndihmon në shpërbërjen e strukturave paralele dhe u lehtëson jetën qytetarëve në të dy anët e kufirit”.

Përveç marrëveshjes me Serbinë, Jahjaga dhe Stavridis diskutuan edhe për situatën e sigurisë në tërësi, duke e vënë theksin tek vazhdimi i misionit të NATO-s dhe ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe Aleancës.

Në këtë drejtim, admirali Stavridis premtoi se, prania e NATO-s në Kosovë do të vazhdojë për të ofruar një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët, veçanërisht në këtë periudhë pas arritjes së marrëveshjes.

Top Channel