Merkato e Serisë A, “hemoragji” yjesh

01/05/2013 19:35

Ndërsa dritarja e transferimeve verore në futbollin europian po afron, Seria A rrezikon të vazhdojë “hemoragjinë” e saj të yjeve, të cilët mund të vazhdojnë të braktisin Italinë siç ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit.

Në një artikull të publikuar ditën e mërkurë, e përditshmja “La Gazzetta dello Sport” renditi 11 futbollistët, në bazë të pozicioneve që luajnë, më të lakuar të merkatos italiane në largim dhe shumë prej tyre, të ardhmen duket se do ta kenë në kampionatet e tjera kryesore të Europës.

1. Marchetti – Portieri i Lazios kushton 12 milionë euro dhe për të interesohet Milani. Interi mund të përfshihet në garë, nëse do të shesë Handanoviç tek Barcelona për 30 milionë euro, siç përflitet në javët e fundit.

2. Basta – Mbrojtësi i krahut i Udineses ka ngjallur interesimin e Romës dhe Juventusit, por pas dëmtimit të Zanettit, edhe të Interit. Për të, disa opsione edhe nga Premier League.

3. Ogbonna – Një prej futbollistëve më të talentuar të rinj italianë, qendërmbrojtësi i Torinos dhe kombëtares italiane po vëzhgohet nga Bajerni e Milani, por gjermanët duket se kanë një avantazh të dukshëm ekonomik nëse do të vendosin të parashtrojnë ofertën e tyre.

4. Marquinhos – Roma kërkon ta lidhë me një kontratë afatgjatë, por diçka e tillë duket e vështirë përballë ofertës së Manchester City, i gatshëm të ofrojë rreth 25 milionë euro për të dhe një shumë të ngjashme edhe për Lamelën.

5. Hernanes – Për Lazion, Hernanes nuk ka çmim, por Chelsea e di mirë që nuk është kështu dhe po përgatit një ofertë. Dyshimet përforcohen nga fakti se Lazio ka prenotuar brazilianin Anderson, me karakteristika të ngjashme me Hernanesin.

6. De Rossi – Pasi ka humbur entuziasmin duke luajtur me Romën, Manchester City, Reali e Chelsea po presin në radhë për ta kontraktuar.

7. Marchisio – Mourinho e ka vendosur në listën e tij të të “shumëkërkuarve” dhe pavarësisht nëse do të qëndrojë tek Reali apo do të transferohet tek Chelsea apo PSG, pritet të vijë një ofertë tunduese për juventinin.

8. Diamanti –
Në janar vendosi që të qëndronte tek Bolonja për të siguruar mbijetesën, por në merkaton verore është pothuajse i sigurt kalimi i tij tek Juventusi.

9. Cavani – Me divorcin tek Napoli gjithmonë e më pranë, po bëhet gjithmonë e më e qartë se uruguajani do të kalojë në radhët e klubit që do të ofrojë më shumë midis Realit, Cityt dhe PSG-së.

10. Osvaldo – Italo-argjentinasi është me valizhet gati dhe në horizontin e tij duket se është Tottenhami, klubi londinez që ofron 15-20 milionë euro për sulmuesin.

11. Jovetic – Ylli i Fiorentinës i intereson Manchester Cityt, por zëra të pakonfirmuar e çojnë atë edhe në Spanjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA