Mali, arrestohet militanti francez

01/05/2013 16:00

Një francez i shndërruar në një militant islamike u kap ditën e mërkurë nga forcat e ushtrisë së vendit të tij, duke luftuar përkrah militantëve afrikanë në veri të Malit.

Arrestimi i Gilles le Guen, i “pagëzuar” me emrin Abdel Jelil u realizua të dielën në Timbuktu, por njoftimi për këtë u dha me 72 orë vonesë, pas verifikimeve paraprake dhe marrjes në pyetje.

58-vjeçari kishte udhëtuar më parë në 2012-s për t’iu bashkuar “xhihadit” në Mali.

Sipas “Agence France Presse”, ai u arrestua pasi u përfshi në një shkëmbim zjarri me forcat e ushtrisë franceze.

Në muajin prill, Le Guen u shfaq në një video të transmetuar në një rrjet islamik, me fytyrën e zbuluar, duke kërcënuar Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për pagimin e një “kostoje të lartë”, për ndërhyrjen e tyre në Mali.

Në një intervistë të shkurtër për një radio franceze nëpërmjet telefonit, militanti ishte shprehur më parë se do të ndiqte me vendosmëri rrugën e Osama bin Ladenit.

Ndërsa disa shtetas francezë kanë qenë të dyshuar më parë për bashkimin me forcat militante në Mali, rasti i Le Guen është i veçantë, pasi ai është rasti i parë që një francez etnik, pa prejardhje magrebine apo të një vendi tjetër, t’i jetë bashkuar lëvizjes terroriste.

Që prej nisjes së ndërhyrjes ushtarake, gjashtë ushtarë francezë janë vrarë në Mali.

Franca dërgoi trupa në Mali, për të penguar pushtimin e vendit nga militantët në muajin janar.

Falë ndërhyrjes së Parisit zyrtar, aktualisht është rikthyer kontrolli i qeverisë mbi të gjitha qendrat e mëdha të banuara, por ka shumë pikëpyetje për të ardhmen e vendit, pas tërheqjes së paralajmëruar të francezëve dhe zëvendësimit të tyre me një koalicion trupash afrikane në muajin maj.

Gjate vitit te fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre, por tashmë duket se janë shpërbërë në disa fraksione më të vogla.

Një prej shteteve më të varfëra në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku.

Top Channel