Atentati i Bostonit, edhe 3 të ndaluar

01/05/2013 18:10

Policia në Shtetet e Bashkuara ka ndaluar tre të dyshuar të tjerë në lidhje me atentatin e 15 prillit gjatë Maratonës së Bostonit.

Mediat amerikane kanë bërë të ditur se të ndaluarit nuk kanë lidhje me vënien e bombave, por dyshohen se kanë ndihmuar atentatorët pas shpërthimeve.

Sipas burimeve, ata janë prangosur nën akuzën e pengimit të drejtësisë dhe deklaratave të rreme ndaj autoriteteve.

“Dy prej të dyshuarve kanë qenë shokë klase të Dzhokhar Tsarnaev në Universitetin e Masaçusetsit dhe janë ndaluar në lidhje me ngjarjet pas atentatit”, kanë njoftuar burimet.

Më herët autoritetet kishin deklaruar se besonin se dy vëllezërit Tamerlan dhe Dzhokhar Tsarnaev kishin vepruar të vetëm.

26-vjeçari Tamerlan mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë më 19 prill në Boston, ndërsa Dzhokhar, 19 vjeç, mbeti i plagosur dhe akuzohet për vënien e bombave që vranë tre persona dhe plagosën mbi 260 të tjerë.

Konkretisht, Dzhokhar akuzohet për “përdorim të armëve të shkatërrimit në masë” dhe “shkatërrim të qëllimshëm të pronës me pasojë vdekjen” dhe rrezikon dënimin me vdekje.

Kur u mor në pyetje nga policia në spital, ai tha se bashkë me të vëllain ishin të irrituar me Shtetet e Bashkuara për shkak të luftrave në Irak dhe Afganistan.

Tsarnaev, i cili ndodhet në spitalin e një burgu, ishte hetuar më herët nga FBI-ja, por në atë kohë agjentët nuk ishin gjetur prova për një kërcënim të mundshëm prej tij.

Ditën e martë, presidenti Barack Obama deklaroi se oficerët e forcave të ligjit kishin zbatuar protokillin dhe nuk kishin asnjë faj.

Top Channel