Vilanova: Shpresojmë te Messi

30/04/2013 19:50

Tito Vilanova nuk i ka humbur ende shpresat. Trajneri i Barcelonës theksoi në prag të ndeshjes me Bayern Munchen në Camp Nou se skuadra e tij duhet të luajë mirë futboll e më pas të shohë se çfarë do të ndodhë.

“Duhet të luajmë më mirë se Bayern. Kemi shanse kualifikimi vetëm nëse luajmë futboll të bukur. Nuk duhet të mendojmë për golat sepse ato vijnë vetë nëse luajmë mirë”, deklaroi tekniku katalanas në konferencën për shtyp.

Vilanova shtoi se nëse Messi do të jetë në formë, përmbysja nuk është e pamundur: “Është i rëndësishëm për skuadrën. Kemi më shumë mundësi të arrijmë finalen nëse Messi është mirë. Shpresoj që ai të thotë fjalën e tij në këtë ndeshje.”

Barcelona duhet të fitojë me 5 gola diferencë për të kaluar në finalen e madhe të Champions pasi humbi takimin e parë në Allianz Arena me rezultatin e thellë 4-0. Vilanova është i ndërgjegjshëm për vështirësinë kolosale, por thekson se skuadra e tij e ka për detyrë të përpiqet.

“Jemi Barcelona dhe nuk mund të dorëzohemi. Bayern është më i favorizuar, por nuk është i kualifikuar ende. Duhet të luftojmë e nëse në fund eliminohemi, duhet të dalim me kokën lart dhe t’i bëjmë tifozët krenarë.”

Top Channel