Ukraina shkeli të drejtat e Tymoshenkos

30/04/2013 15:40

Ukraina shkeli të drejtat e njeriut në rastin e ish-kryeministres Yulia Tymoshenko, duke mos lejuar në mënyrë “arbitrare dhe të paligjshme” të drejtën e saj për një përkujdesje ligjore pas arrestimit, deklaroi një panel gjykatësish europianë.

Tymoshenko, prej dy vitesh e burgosur me shtatë vjet heqje lirie mbi akuzën e shpërdorimit të detyrës, është ankuar gjithashtu për abuzim fizik në kushtet e mbajtjes së saj të burgosur.

Megjithatë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk mori në shqyrtim këto ankesa, për të cilat mundojnë prova të qarta.

Përfundimi i Gjykatës Europiane nuk ka fuqi që të ndryshojë masën e dënimit të saj.

Sipas “Assoaciated Press”, një i dërguar i qeverisë ukrainase u largua nga salla në mënyrë demonstrative, si shenjë proteste për përfundimin e arritur nga gjykatësit europianë.

Vlerësimi i gjykatës nuk është përfundimtar, pasi secila palë ka tre muaj kohë për të apeluar.

Tymoshenko dhe mbështetësit e saj akuzojnë kundërshtarin e saj kryesor politik gjatë karrierës dhe tashmë Presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, për orkestrimin e këtij gjyqi të motivuar politikisht.

Tymoshenko, dy herë ish-kryeministre e Ukrainës, u gjykua për nënshkrimin e një marrëveshje gazi me Rusinë në vitin 2009.

Sipas akuzës, ajo tejkaloi kompetencat, duke mos marrë miratimin e kabinetit qeveritar, por pretendimi për përfitime personale nuk është verifikuar kurrë nëpërmjet provash të qarta.

Në bazë të vlerëismeve të ekspertëve, marrëveshja e firmosur prej saj ka rezultuar e dëmshme për ekonominë ukrainase.

Top Channel