Siri, zhduket reporteri veteran italian

30/04/2013 01:10

Një gazetar italian është zhdukur në Siri prej 20 ditësh, bën të ditur gazeta për të cilin punon ai, “La Stampa”.

Domenico Quirico, 62 vjeç, një reporter veteran i luftrave, hyri në Siri nga Libani më 6 prill, duke thënë se nuk do të ishte i disponueshëm për kontakte për 1 javë.

“La Stampa” thotë se ka patur vetëm kontakte sporadike nëpërmjet telefonit deri më 9 prill, dhe prej atëherë nuk kanë marrë më informacione për të.

Konflikti në Siri e ka bërë këtë vend një nga më të rrezikshmit në botë për gazetarët, ku mund të shkojnë për të punuar.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Siria ka qenë vendi më vdekjeprurës për reporterët në 2012-n. 4 gazetarë italianë u morën peng në Siri në fillim të këtij muaji, por u liruan shumë shpejt.

Kryeredaktori i “La Stampa”-s, Mario Calabresi, tha se gazeta, me bazë në Torino, vendosi të publikonte zhdukjen e Quirico-s, pasi dështuan të zbulonin informacione mbi vendndodhjen e tij pas një kërkimi.

“Shpresuam se duke qëndruar në heshtje, do të mund të ndihmonim sadopak në gjetjen e një zgjidhjeje”, tha Calabresi. “Për fat të keq, në këtë rast nuk ka ndodhur dicka e tillë, ndaj dhe, për këtë arsye, vendosëm ta bëjmë publik zhdukjen e tij”.

Ministria e Jashtme italiane ka aktivizuar njësitin e krizave në përpjekje për të rënë në gjurmët e Quirico-s. Gazetari, i cili ka qenë reporter edhe i konflikteve në Sudan, Uganda dhe Libi, është zhdukur shpesh për disa ditë, në ato kohë, sipas Calabresi-t, por jo kaq gjatë sa këtë herë.

Top Channel