Siri, qëllohet me raketa avioni rus

30/04/2013 00:00

Dy raketa tokë-ajër kanë qëlluar nga persona të panjohur ndaj një avioni pasagjerësh rus që po fluturonte në qiejtë sirianë.

Lajmin e bën të ditur agjencia “Interfax”, që citon një burim jo shumë të besueshëm, që thotë se e ka marrë informacionin nga qeveria e Damaskut.

“Pala siriane na ka informuar se dy raketa tokë-ajër janë qëlluar dhe kanë shpërthyer pranë një avioni pasagjerësh të një kompanie ajrore ruse”, ka deklaruar burimi.

Ai ka saktësuar se ekuipazhi i avionit ka arritur të bëjë një manovër të menjëhershme duke shpëtuar pasagjerët që po transportoheshin.

Në bordin e mjetit fluturues ndodheshin rreth 200 persona që ktheheshin nga një lokalitet turistik egjiptian, ka shtuar burimi në kushte anonimati.

“Me siguri kanë qëlluar qëllimisht avionin, por nuk dihet nëse autorët kanë qenë në dijeni të faktit se ai ishte rus”, ka thënë më tej burimi.

Agjencia e lajmeve “Interfax” saktëson më tej se nuk ka informacione zyrtare për këtë ngjarje, e cila ka ndodhur mëngjesin e së hënës por është raportuar në orët e fundit.

Top Channel