BDI distancohet nga VMRO-DPMNE

30/04/2013 00:00

Partia shqiptare në qeverinë e Shkupit, Bashkimi Demokratik për Integrim, është distancuar nga ‘fushata’ anti-amerikane që po zhvillohet në disa media maqedonase në Shkup, pas publikimit të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili përmban kritika të shumta për Maqedoninë.

“Ne shprehim keqardhje për retorikën e partnerit tonë të koalicionit, por në të njejtën kohë theksojmë se kjo nuk është retorikë e qeverisë, por është e njërit partner në qeverisje, pa çka se është ky partneri më i madh. BDI asnjëherë nuk ka ndarë dhe nuk ndan vlerësime të këtilla, përkundrazi, SHBA-të kanë qenë, janë dhe do të ngelin partneri dhe mbështetësi më i madh i aspiratave integruese të popullit shqiptar”, deklaroi Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Ndërkohë, nga BDI njoftojnë se në fillim të muajit të ardhshëm një delegacion i lartë i kësaj partie do të qëndrojë në SHBA. Në takimet me përfaqësuesit e administratës shtetërore të SHBA-ve, kreu i BDI-së Ali Ahmeti do të përqëndrohet tek nevoja për zgjidhjen e problemit të emrit dhe debllokimin e proçeseve integruese të Maqedonisë.

“Besoj që aktualitetet politik në Maqedoni dhe rajon do të jenë në interes të dy palëve në këto takime që do t’i mbajmë në Departamentin e Shtetit, në Pentagon dhe në Kongres”, bëri të ditur Artan Grubi, shef i kabinetit të Ahmetit.

Përfaqësuesit e partisë shqiptare në pushtet, BDI, presin që përpjekjet për zgjidhjen e poblemit bilateral mes Athinës dhe Shkupit lidhur me emrin e Maqedonisë do të marrin dinamikë të re pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Top Channel