Amanda Knox deklarohet e pafajshme

30/04/2013 00:00

Amanda Knox, që po përballet me rigjykim mbi vrasjen e studentes angleze Meredith Kercher në vitin 2007 në Itali, është shfaqur në një program televiziv amerikan për të protestuar pafajësinë.

Në një intervistë për ABC News, Knox u shpreh se deklaratat se “ajo është djalli” dhe se është një “manipuluese e pashpirt” janë të gjitha të gabuara.

“Do të më pëlqente të rikonsiderohesha si person”, ka thënë studentja 25-vjeçare nga Siatëlli në intervistën që do të transmetohet me vonë gjatë së martës.

Muajin e kaluar një gjykatë italiane hodhi poshtë vendimin e mëparshëm që i jepte shtetases amerikane pafajësinë dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes.

Edhe ish-i dashuri i saj italian, Raffaele Sollecito, 29 vjeç, do të përballet gjithashtu me një gjykim të ri pas pafajësisë së fituar në proçesin e fundit.

Studentja britanike Meredith Kercher u gjet e vrarë me thikë në apartamentin që ndante me Knox në Peruxha, në nëntor të vitit 2007.

Prokurorët besojnë se ajo vdiq si pasojë e një loje seksuale që degjeneroi. Një person tjetër, Rudy Guede nga Bregu i Fildishtë, u dënua në një gjyq më vete deri në 16 vjet burg për vrasjen.

Çështja ka tërhequr vëmendjen e mediave në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe ka vënë policinë dhe sistemin italian të drejtësisë në një provë të madhe.

Top Channel