“Shqip”, aleatët e të mëdhenjve

29/04/2013 00:00

Ndërsa zgjedhjet e 23 qershorit po afrojnë, debati politik po bëhet gjithmonë e më i ndezur në media dhe opinionin publik. Në një sfond të tillë, emisioni i përjavshëm “Shqip” i Rudina Xhungës, iu rikthye çështjeve kryesore politike, si aleancat, ngërçi në KQZ, komisioni i fundit hetimor, i ngritur të hënën nga Kuvendi, për të hetuar dyshimet se lideri i opozitës, Edi Rama, dhunoi diplomatin Egin Ceka, gjatë një prezence në Akademinë Diplomatike të Vjenës.

Për të debatuar në studio, të pranishëm ishin Kryetari i Lëvizjes për Zhvillimin Kombëtar, Dashamir Shehi, kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi dhe Myslym Pasha, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Kuqezi.

Gjithashtu, panelit në studio iu bashkangjit gjatë zhvillimit të emisionit, kryetari i Partisë Demokratistine, Nard Ndoka, një ish-aleat i Ramës, pjesë e koalicionti qeveritar.

Ngritja e komisionit hetimor

Me një bisedë që nisi nga ngritja e komisionit hetimor, mesditën e së hënës, të tre të pranishmti në studio ndanë pak a shumë të njëjtin qëndrim, duke dënuar komisionin si qesharak, në rastin e Gjinushit apo pranuar mungesën e dobisë së tij, prej zotit Shehi.

“Ky është Kuvendi që ka shkelur gjithmonë kushtetutën, e parimet bazë të saj që është e drejta e opozitës për të kontrolluar. Ky Kuvend e ka nëpërkëmbur vazhdimisht ligjin, duke mos lejuar të drejtat e patjetërsueshme të opozitës dhe për të ngritur komisone butaforike për çështje që nuk ekzistojnë, por vetëm keqpërdoren përpara fushatës. Ju kujtoj që sot ka komisione thjesht fiktive si ai për masakrën e Tivarit dhe 21 janari, ku të gjithë opozitarët, presidenti, prokurorja, gazetarët e pjesëmarrësit cilësohen si puçistë e pritet vetëm dënimi i tyre”.

“Unë gjykoj që s’do dalë ndonjë gjë e madhe dhe po të isha unë nuk do të merresha, nuk i jep asgjë kësaj mazhorance, por nëse duhet të vihet në vend nderi i administratës diplomatike, për të sqaruar këtë le të bëhet, mazhoranca i ka numrat, por s’do të arrij diku. Do të isha dakord që të ngrihet pas zgjedhjeve ky komision, por tani e gjykoj se edhe nëse do të bëhet diçka, do të jetë e paragjykuar sepse edhe sikur të nxjerrë të vërteta, nuk do të merren parasysh në këtë situatë zgjedhore”, komentoi Shehi.

Edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Kuqezi, “kjo histori është pa kuptim, një mani, një krijesë groteske që për një kohë të shkurtër kërkon të shkëpusë vëmendjen nga ngjarje të tjera. Edhe unë e konsideroj si nismë ilegjitime të një Parlamenti ilegjitim, që ka dalë nga një votë e dyshimtë e shqiptarëve, e ky është produkti që mund të sjellë një Parlament i tillë”.

I vetmi që ndau një mendim të kundërt për ngritjen e komisionit, ishte zoti Ndoka, i cili tha: “Komisionet janë normalisht e drejta e Parlamentit për të vendosur, por unë gjykoj që nuk kishte nevojë për një hetim të tillë, pasi dihet akti, nuk besoj se ka pasur ndonjë përgënjeshtrim nga ana e Ramës. Besoj se Rama do të ketë kurajo civile të pranojë si ishte incident, në atë takim pati nervozizëm dhe nëse nuk është stërvitur për t’i kaluar këto provokime, tregon dobësinë e një lideri të madh që pretendojmë të shohim”.

Listat zgjidhore

Debati në studio u fokusua më pas në listat zgjedhore dhe mënyrën e ndërtimit të këtyre koalicioneve. “Aktualisht, nuk e kemi vendosur se ku do të konkurroj. Sistemi, pavarësisht të metave, nuk është i tillë që i lë partitë jashtë gare, sidomos partitë e dimensioneve mbi 4% e kanë absolutisht të mundur për kapje mandati, duke nisur nga Tirana ku merret deputeti edhe me 2%, sepse në kuadër të një koalicioni fitohet me 6-7 mijë, nga 11 mijë që nevojiten vetëm. Për PSD, kjo është e arritshme, hiq përvojën negative të 2009-s, kur fituam 27 mijë vota të vlefshme e ekuivalente deri me tre deputetë, por do të shohim më parë edhe me Partinë Socialiste, edhe për të optimizuar rezultatin”, komentoi Gjinushi.

Nga ana e tij, Dashamir Shehi, gjithashtu ndau një qëndrim shpresëplotë mbi mundësinë e fitimit të pjesëmarrjes së forcës së tij politike në Kuvend. “Ne jemi me skemën klasike të 2009-s, edhe unë gjykoj që me këtë formulë mund të merren vota edhe nga partitë e vogla, sidomos në Tiranë ku mund të merren 6-7 mijë vota, sepse janë gati 400 mijë votues. Shanse reale për partitë e vogla ka edhe në qarqet e mëdha, sidomos atje ku kalohet numri 10 i deputetëve. Herën tjetër ishim në një aleancë që pati 5% në Tiranë e 8% në rang vendi, por duheshin 17 mijë vota për një deputet, ndaj koaliconi kishte këtë aspekt taktik. Strategjia jonë është që të gjithë forcat e qëndrës djathtë të bashkangjiten drejt një boshti dhe të hapin një debat të brendshëm”.

Pozicioni i Aleancës Kuqezi

Në marrjen e fjalës, zoti Pasha i bëri një ekspoze të gjatë qëndrimeve dhe debatit të brendshëm të partisë së tij. “Pati negociata për t’u bashkuar edhe ne me koalicionin e PS, negociata që dështuan dhe rreth tyre ka thashetheme, historira, por tani për tani duhet thënë që transparenca, tejdukshmëria ende nuk është shumë e qartë. Pak a shumë, për publikun e gjërë, është e njohur që këto negociata përfunduan me gjashtë pika që ia paraqitëm PS dhe prej PS absolutisht nuk erdhi një përgjigje e modeluar, e argumentuar”.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, “kemi pasur dëshirë të bashkoheshim, por aktualisht jemi në një front të madh opozitar, koalicioni është një marrëveshje që në pikëpamje strategjike, ndërsa fronti i gjerë pëfshin shumë personazhe që përpiqen të arrijnë një synim. Ne jemi në një front anti-regjim, por koalicioni do të ishte me shumë interes strategjik, nëse do të arrihej. Ne nuk e arritëm këtë gjë, së pari mendoj se steka e asaj që ne e quajmë morali politik, ishte e ulur sepse me Partinë Socialiste u afruan në koalicion një parti që është LSI. Ne si parti jemi e barazlarguar nga të dy partitë, tani po mbarojmë listat e do të garojmë në të gjithë qarqet e tjera të vendit. Unë vetë, deri tani jam i projektuar për qarkun e Fierit”.

Një koment mbi qëndrimin e AK-së dha në studio edhe zoti Gjinushi: “Gjashtë pikat s’mund të jenë kushte, ky është një bashkëpunim taktik, me qëllim fitimin e opozitës. Mosbashkëpunimi ka krijuar shumë pikëpytje, që mbase zoti Pasha mund t’i sqarojë më mirë”.

Kodi Zgjedhor

Duke folur për kalimin nga opozita dhe bashkimi me të djathtën në qeveri, kreu i PDK-së, Nard Ndoka vlerësoi bashkëpunimin me opozitën që e quajti një përvojë të vlefshme. “Bashkëpunimi me opozitën ka qenë një eksperiencë e mirë për partinë time dhe për mua. Tek opozita vërejta një lloj hezitimi të lidershipit të PS. Ngjala e famshme ndryshoi kursin e PS. Unë e kapa në kohë që ndryshimi i kursit të PS filloi me tërheqjen nga ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe përmirësimi i tij. PS u fokusua më tepër tek pazaret e nëndheshme. Iu riktheva bashkëpunimit natyral sepse bashkëpunimi me PS ishte i sforcuar, megjithëse ishte i suksesshëm”, tha ai.

Sa i përket nevojës së ndryshimit të Kodit Zgjedhor foli edhe kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi. Por për këtë ai fajësoi më shumë Partinë Demokratike. “Kodi duhej të përmirësohej dhe kjo dotë  ishte më mirë për demokracinë, garën e partive dhe do lehtësonte praktikat. Kjo nuk u bë më shumë për faj të PD dhe më pas të PS. Problemet kanë qenë të karakterit taktit në opozitë. Partitë duan edhe të mbijetojnë. Lëvizjet janë pragmatiste dhe nuk janë parimore, ashtu sic ishte lëvizja e LSI-së”, tha zoti Gjinushi.

Aleanca Kuqezi dhe largimet prej saj

Lidhur me dështimin e një marrëveshje për koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste dhe partive të tjera të bashkuara në aleancë me të foli përfaqësuesi i Aleancës Kuqezi, Myslym Pashaj. Zoti Pashaj hodhi poshtë zërat se AK mbështet nga Berisha. “Ne kërkuam që të kishim përfaqësuesit tanë në tavolinën e numërimit, por kjo nuk na u mundësua. Tani na ngelet vetëm një vëzhgues. Pretendimet që AK është e krijuar me mbështetjen e Berishës është llahtari. Ne kemi patur katër faktorë kryesorë që kanë bërë që të krijonim AK dhe një nga këta ka qenë momenti kur qeveria kishte ndërtuar një ligj për regjistrimin etnik dhe fetar dhe u gjetën dokumenta ku shqiptarët kishin ndryshuar etni. Ne u quajtëm faqezinj nga ata që thuhet se u mbështetëm. Ne kemi programin tonë, pavarësisht se dikush thotë që jemi krijuar nën sqetullën e X partie. Ne kemi bashkësinë e njerëzve tanë, elektoratin tonë”, tha ai.

Ditën e hënë 11 sekretarë të AK-së njoftuan publikisht largimin prej kësaj force politike duke akuzuar lidershipin se ka tradhëtuar kauzën duke e shndërruar partinë në një parti private. Përfaqësuesi i AK, Myslym Pashaj minimizoi këtë problem duke deklaruar se probleme ka, por shtoi se largimi i këtyre sekretarëve është një vendim i tyre për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.   

“Ata ikën nga AK dhe iu bashkuan Partisë Socialiste. Kjo është mëse normale dhe është zgjedhja e tyre. Probleme ka kudo vecse duhet të jemi realë në gjërat që thuhen sepse ne kemi punuar bashkë për programin e partisë dhe unë ndaj tyre nuk përdora asnjë ofendim”, tha ai.

Por në një lidhje telefonike, Ago Nezha i cili ka drejtuar Departamentin e Bujqësisë në AK hodhi poshtë deklaratat e zotit Pashaj duke thënë se ata nuk u larguan për t’iu bashkuar Partisë Socialiste. “Ato cka denoncon zoti Pashaj se ne kemi ikur nga AK për t’u futur në një forcë tjetër politike, kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ne sot kemi thënë se ikim nga AK pasi pamë një mision që nuk kishte të bënte me patriotizmin”, tha zoti Nezha.

LZHK: Të reformojmë republikën. E djathta fiton zgjedhjet

Në fjalën e tij, Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së foli për qendrimin e partisë së tij dhe kontributin e saj brenda koalicionit të qendrës së djathtë. Zoti Shehi shprehu besimin se e djathta ka të gjitha mundësitë reale për të fituar mandatin e tretë. Ai tha se vendi ka nevojë për reforma të mëdha, që nga Kushtetuta e deri tek Kodi Zgjedhor.

“Unë kam  zgjedhur një terren timin politik dhe sigurisht nuk po hyjmë në fushë për të mos fituar. E djathta ka inertësinë e mjaftueshme politike për të fituar një mandat të tretë. Them se duhet të bëjmë një reformim për tezat që do të justifikojmë mandatin e tretë. Problemi për shqiptarët do të jetë gjithnjë ekonomia. E djathta për traditën që ka, ka për detyrë që të shtyjë diskutimin edhe në vitet e ardhshme tek probleme themelore, si ndryshimi i Kushtetutës, në kufizim mandatesh, ndryshim të raportit mes Qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit. Kemi nevojë të riformulojmë Republikën, të reformojmë një kod zgjedhor. Është një temë kaq e rëndësishme. Puna e parë që duhet të bëhet në fillim të mandatit është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, sepse në fund bëhet objekt i presioneve elektorale. Këto janë tezat e mia që shpresoj t’i marrë edhe koalicioni dhe ky është kontributi që ne si LZHK japim në koalicion”, tha zoti Shehi.

***

Në mbyllje të emisionit, kreu i socialdemokratëve u ndal tek dështimet e qeverisë, që sipas tij, janë të njëjtat që koalicioni i djathtë ka vënë në parrullë, punësimi, mirëqenia dhe integrimi. Gjinushi shprehu bindjen se e majtë fiton rreth 80 mandate në zgjedhjet e 23 qershorit.

Top Channel