Rusia: Jo spekulime për armët në Siri

29/04/2013 21:40

Është e papranueshme të spekulosh mbi temat e armëve të shkatërrimit në masë për qëllime gjeopolitike në Siri.

Kështu ka deklaruar të hënën në Moskë ministri i Jashtëm rus, Sgerhiei Lavrov, lidhur me deklaratat e fundit të Perëndimit për përdorimin e armëve kimike në Siri.

“Natyrisht që ka “lojtarë” të huaj të bindur se, për të përmbysur regjimin sirian, të gjitha mjetet janë të mira. Por tema e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë është shumë serioze dhe s’mund të bëhet shaka. Përdorimi i saj duke spekuluar për mua është e papranueshme”, ka deklaruar Lavrov.

Javën e kaluar kryeministri britanik, David Cameron tha se ekzistojnë “fakte të kufizuara” për përdorimin e armëve kimike nga ushtria siriane. “Është tejet serioze. Ky është krim lufte”, tha ai për BBC.

BBC raportoi se Britania e Madhe arriti të mbledhë fakte brenda Sirisë dhe janë verifikuar nga Laboratori i Shkencës dhe Teknologjisë së Mbrojtjes.

Të njëjtën ditë, Shtëpia e Bardhë tha se shërbimet sekrete, megjithese nuk kishin një informacion plotësisht të sigurte, besojnë se Siria ka përdorur gazin sarin.

Duke folur për gazetaret në Abu Dabi, sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se përdorimi i gazit sarin “shkel çdo konventë lufte”.

Nga ana e saj, Siria mohoi të ketë përdorur, apo qoftë edhe të posedojë, armë kimike, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë se po gënjejnë, duke ushtruar presion për përgatitje ofensive ndaj qeverisë së Damaskut.

Top Channel