Rusi-Japoni negociojnë për ishujt

29/04/2013 15:20

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka mbërritur në Rusi, në një vizitë që është e para e nivelit të kryetarëve të shteteve në më shumë se një dekadë.

Diskutimet pritet të përqendrohen në kontratat e energjisë dhe një mosmarrëveshje territoriale e pazgjidhur që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Japonia pretendon katër ishujt në grupin e ishujve Kurile, ish-pjesë e territorit japonez, në prefekturën e Hokaidos, deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, në muajin e fundit të luftës, Rusia pushtoi të gjithë grupin e ishujve, i cili i është bashkangjitur territorit të Federatës dhe mbetet pjesë e saj deri më sot.

Në të shkuarën, presidenti Putin ka mbrojtur me forcë sovranitetin rus në Kurile, duke kërcënuar Tokion për “përgjigje të ashpër ushtarake”, nëse do të cënojë këtë sovranitet.

Përpara kësaj vizite, Abe u shpreh në shtypin japonez se kishte besim në “marrëdhënien personale” me presidentin Putin.

Ai shtoi se do të kërkojë edhe avancimin e bisedimeve mbi firmosjen e paqes, e cila mbetet pezull për shkak të konfliktit të Kurileve, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Aktualisht, Rusia dhe Japonia janë teknikisht ende në luftë, pasi Moska ka pranuar kapitullimin pa kushte të Perandorisë Japoneze në Luftën e Dytë Botërore, por pa negociuar vendosjen e paqes mëpastaj.

Pas vizitës në Moskë, Abe do t’i drejtohet Turqisë dhe Lindjes së Mesme.

Top Channel