
Treguesi i Bankës Botërore se 57% e studentëve shqiptarë janë analfabetë, i bërë fillimisht publik nga Top-Channel, u komentua gjatë një konference shtypi nga Edi Rama.
Rama e cilësoi atë si një fakt shumë dramatik, i cili tregon një realitet katrastofik që mohohet, sipas tij, nga qeveria e cila në vend që të kërkojë ndjesë fajson e baltos si zakonisht opozitën.
Kryesocialisti u ndal edhe në një prej pikave të marrveshjes me LSI, që lidhet me rolin e ministrave të ardhshëm në kabinetin Rama.
“Ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandatit të ministrit do të heqin dorë nga ai i deputetit, duke bërë që Parlamenti të bëjë detyrën e vetë. Legjislativi të bëjë legjislativin dhe ekzekutivi ekzekutivin”, deklaroi Rama.
Rama, duke folur për KQZ-në, tha se PS nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për këtë organ, i cili është rikonstituimi, ashtu siç janë shprehur edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Ne nuk po merremi fare me këtë çështje. Shqiptarët e kanë të qartë, KQZ kontrollohet tërësisht nga kryeministri në ikje. Do të jetë kryetar, anëtar apo çfarë të dojë, ne do ta mundim thellë. Kush e prek fitoren e thellë do marrë përsipër të paguajë shrenjtë çmimin e këtij guximi”, theksoi Rama.
Kjo ishte përgjigja e Edi Ramës pasi u pyet për largimet e 11 sekretarëve politikë të Aleancës Kuqezi:
“Ne mirëpresim të gjithë ata patriotë që u tërhoqën në emër të flamurit kuqezi drejt një rruge ku fatkeqësisht doli se destinacioni nuk ishte beteja për rrotacionin, por oborri i pushtetit të Saliut. Ajo që kam parë në proçesion e negocimit ka qenë një provë e pashembullt e një manipulimi të madh të opinionit publik”, shtoi Rama.
Top Channel