Zhvillimi i një referendumi nga Serbia pas marrëveshjes me Kosovën, edhe në pjesën veriore të Kosovës, vlerëshet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës nga politikanët në Prishtinë.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përveç kësaj, ka thënë se rezultati i një referendumi të tillë në veri nuk duhet të njihet nga askush.

“Ju e dini që me Kushtetutë dhe ligje asnjë shtet nuk mund të mbajë referendum në shtetin tjetër dhe gjithashtu e dini se edhe qeveria serbe ka mendime të kundërta në dallim me qytetarët serbë të pjesës veriore të Kosovës. Pra, me Kushtetutë nuk mund të mbahet”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, është deklaruar se askush nuk mund të shpallë referendum legal brenda territorit të Kosovës, duke shtuar se Kosova mund ta ndalojë një gjë të tillë në bashkëpunim me BE-në dhe NATO-n.

“Absolutisht jo. Në territorin e Kosovës referendum legal nuk mund të mbajë askush. Mendoj se Kosova mjete fizike të veta nuk ka, mirëpo ka mjete të tjera të punës, që janë bashkëpunimi me Unionin Evropian dhe me NATO-n, për të bërë të qartë se një gjë e tillë nuk duhet të lejohet në Kosovë”, ka thënë Gjini.

Po për këtë çështje, ditë më parë edhe presidentja Atifete Jahjaga, përmes zyrës së saj të informimit, shprehu qëndrimin se: “Asnjë shtet tjetër nuk mund të organizojë referendum në territorin e Kosovës”.

Sidoqoftë, Krasniqi dhe Gjini i bënë këto komente pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos për seancat që do të mbahen gjatë kësaj jave.

Në njerën prej tyre sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu, do t’iu drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne të thirrur me rastin e vizitës së tij në Kosovë.

Top Channel