“E majta, e lidhur me krimin”

29/04/2013 00:00

Kryeministri Berisha e ka konsideruar 23 qershorin si ditën, kur do përballen me njëra-tjetrën dy alternativa me kahe të ndryshme për qytetarin.

Gjatë një takimi me gratë në karrierë, në qytetin e Elbasanit, Berisha i ftoi ato të votojnë alternativën që ofron qeveria e tij dhe akuzoi aleancën e majtë si të lidhur me krimin.

“Ju do jeni arkitektet e fitores së 23 qershorit, datë në të cilën përballen alternativa e vlerave, që i beson familjes, vlerave të saj, lirisë së individit, vlerave të saj, i beson vendit, vlerave të tij, dhe nga ana tjetër aleanca, që bazohet kryekëput në pazare të privuara nga cdo vlerë dhe cdo moral njerëzor e shoqëror, e cila bazohet e tëra në lidhje të tmerrshme me botën e krimit, botë që ka dhe do ketë vetëm një fund: ligjin dhe vetëm ligjin”, tha Berisha.

Duke folur për barazinë gjinore, por edhe vështirësitë që has femra në shoqëri, kryeministri tha se, një betejë që duhet fituar është ajo ndaj dhunës kundër grave.

“Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithcka për të qëndruar fuqishëm kundër saj, kemi përgatitur një paketë ligjore, që opozita e sotme nuk e voton, por ju garantoj se opozita e nesërme, që do të jetë pa këtë bllokatorin, që nuk di gjë tjetër vecse të bllokojë nga mëngjesi e deri në darkë, do ta votojë”, shtoi Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se qeveria e tij e ka reduktuar ndjeshëm hendekun mes burrit dhe gruas, por ka premtuar reduktimin e mëtejshëm të tij.

“Në Shqipëri vepron muri i patriarkisë. Ky mur ka aspekte nga më të shumtat, por ai që ndikon më shumë në barazinë gjinore është aspekti financiar. Burri merr nën kontroll gjithë anën ekonomike të familjes dhe gruas i lë situatën shtëpiake. Roli i qeverisë është i pamohueshëm dhe ne nisëm të luftojmë këtë hendek të madh mes grave dhe burrave. Ne ndikuam fuqishëm me rritjen e rrogave në administratë, shumica e të cilës përbëhet nga gra dhe vajza të reja dhe situata ndryshoi. Ajo nuk është aty ku duhet, por diferenca ka zbritur në 17 për qind, nën mesataren e BE. Ne sot lëmë mbrapa 11 vende anëtare të BE”, ka thënë Berisha.

Një tjetër pikë e prekur nga kryeministri ka qenë vdekja foshnjore, e cila sipas tij është ndër më të ulëtat në botë, pasi është 1-shifrore. Më tej kreu i qeverisë ka përmendur disa nga ato që ai i ka cilësuar si arritje të qeverisë, duke e vënë theksin tek shtrimi i rrugëve, por edhe në çështje të tjera.

“Ne bëmë të mundur që KE të rekomandonte dhënien e statusit kandidat. Kushti i KE ishte që Rama të votonte ligjet e integrimit, por ai zgjodhi bllokimin”, ka shtuar Berisha.

 

Top Channel