“23 qershori, ndryshim historik”

29/04/2013 00:00

Në një takim me banorët e Kombinatit, në Tiranë, lideri i opozitës Edi Rama deklaroi se shqiptarët, me votën e tyre më 23 qershor, do të sjellin një ndryshim historik, ashtu si në ’92-shin apo edhe ’97-n.

Për Ramën, vota e këtyre zgjedhjeve nuk do të vendosë vetëm për 4 vitet e ardhshme, por për fatin e një gjenerate.

“Ka shumë arsye, secili prej jush, që të mos mjaftohet vetëm me ardhjen në votim, por çdo ditë të flasë me fqinjët, të flasë me të afërmit, të flasë me ata që ende kanë dyshime për të shkuar në votim, jo vetëm, por dhe me të tjerë. Imagjinojeni se çfarë vote masive për ndryshimin dhe për rilindjen do të vijë në 23 qershor, sikur secili prej jush t’i vërë detyrë vetes, që atë ditë të marrë me vete dhe dikë që nuk ka votuar herën e shkuar, që nuk ka votuar herët e shkuara, por që, me votën e vet, do të bëhet protagonist i një ndryshimi, që për Shqipërinë do të jetë historik, ashtu siç ishte historik ndryshimi i vitit ’92, ashtu siç ishte i domosdoshëm ndryshimi i vitit ‘97, ashtu është historike dhe vota e 23 qershorit 2013, për t’i dhënë Shqipërisë një shtysë të re drejt të ardhmes së saj europiane, për t’u dhënë familjeve shqiptare një shtysë të re për të dalë nga kriza ekonomike e sociale”, tha Rama.

Nga kombinati, Rama u bëri thirrje edhe demokratëve, që të mos e votojnë Partinë Demokratike, pasi kështu, sipas tij, edhe kësaj partie do i jepet mundësia për rilindje.

“Dua t’u them, shpëtojeni Partinë Demokratike, duke mos e votuar më 23 qershor. Jepini Partisë Demokratike mundësinë të rilindë edhe ajo, pas 23 qershorit, duke shkuar në opozitë dhe duke bërë një reflektim të madh mbi vetveten, për t’u çliruara nga kthetrat e një grupi që, përmes PD, ka uzurpuar shtetin e shqiptarëve, ka uzurpuar rrugët e ekonomisë shqiptare”, shtoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA