
Duke iu referua një studimi të Bankës Botërore mbi nivelin e njohurive të nxënësve, sipas të cilit në Shqipëri 54 % e 15 vjecarëve rezultojnë të jenë në kushtet e analfabetizmit, deputetja socialiste Ledi Shamku tha se kjo është një tregues se ku ka degraduar arsimi në Shqipëri.
“Sali Berisha në këto 8 vite keqqeverisje rrënoi sistemin arsimor shqiptar duke rrënuar shkollën dhe të ardhmen tonë si shoqëri. E keqja në arsim po përshkallëzohet dhe këtë alarm e vënë vetë ndërkombëtarët. Para pak kohësh USAID deklaroi 15 % analfabetizëm të plotë në këtë vend. Ndërsa dje Banka Botërore në Raportin e saj të fundit shpalli një të vërtetë të frikshme të cilën Partia Socialiste ka kohë që e denoncon.Nga raporti i fundit i PISA, del haptaz se 57 % e 15 vjeçarëve në shkollat tona janë analfabetë funksionalë. Ekonomistët e Bankës Botërore përballë këtij fakti deklarojnë sot se ekonomia e Shqipërisë rrezikon seriozisht kolapsin si pasojë e mungesës së burimeve njerëzore të afta për punë dhe se këta 57 % analfabetë kështu siç janë mund të mbeten të papunë. Ky degradim merr fund me 23 qershor! Buxheti për arsimin do të marrë peshën që i takon, pra 5% të PBB-së sepse arsimi për ne është politika më e mirë ekonomike. Arsim për ne do të thotë punësim dhe dinjitet”.
Reagon MASH, pas akuzave të PS-së
“Sot Rama hodhi një shashkë tjetër, në vazhdën e sulmeve kundër arsimit shqiptar. Pasi nuk arriti të bindë shqiptarët se ndër 100 veta, 15 janë analfabetë, sot nxorri një strategji tjetër, sipas së cilës 57% e nxënësve nuk kuptojnë se çfarë lexojnë. Dhe kjo u bazokërka, sipas tij e zëdhënësve të tij, në vlerësimin e Pisa 2009. Edi Rama fyen të rinjtë 15-vjeçarë, fyen prindërit e tyre, pasi ka fyer mësuesit, infermierët, policët, studentët, tani ka nisur të fyejë edhe nxënësit. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Studimi “Pisa 2009” faktoi se Shqipëria ishte një ndër 3 vendet, nga 65 pjesëmarrëse, që kishte bërë progresin më të madh në krahasim me vitin 2000, në kohën kur qeveriste Partia Socialiste”, u shpreh Fatmir Vejsiu, drejtor i përgjithshëm i arsimit parauniversitar, MASH.
Top Channel