Irak, hiqen licencat e TV-ve satelitore

28/04/2013 20:45

Autoritetet irakiane u hoqën licencat 10 kanaleve satelitore, mes të cilëve edhe Al Jazzera-s, si pasojë e rritjes se trazirave ndërsektare. Mbi 170 persona kanë humbur jetën brenda një jave.

Pas mësymjes së ushtrisë, të martën, në një proteste në kampin sunit u regjistruan përleshje. Mbi 20 persona humbën jetën në qytetin verior të Hauijas, në afërsi të Kirkukut, çka çoi në dorëheqjen e dy ministrave sunitë.

Protesta u regjistruan në Ramadi dhe Falluxha, në perëndim të Irakut, si edhe në qytete të tjera në pjesën veriore të vendit. Protestuesit akuzuan qeverinë shiite, se po diskriminon sunitët dhe kërkuan dorëheqjen e Nuri Al Malikit.

Komisioni i Mediave dhe komunikimit në Irak, përmes një deklarate, tha se kanalet satelitore kanë ekzagjeruar, keqinformuar, kanë apeluar për shkelje të ligjit dhe kanë kritikuar forcat irakiane të sigurisë.

Sipas këtij komisioni, mesazhet e padisiplinuara kaluan çdo lloj kufiri të arsyeshëm dhe kërcënojnë të rrezikojnë procesin demokratik.

Korrespondenti i BBC-së tha se, pjesa më e madhe e stacioneve televizive janë në pronësi të sunitëve dhe Al Jazzera, me qendër në Katar, perceptohet si pro-sunite në raportimet e saj në gjuhen arabe, në Irak.

Të shtunën, Maliki fajësoi konfliktin në Siri, për shtimin e dhunës ndërsektare në Irak, ndërsa për të derguarin e OKB-së, Martin Kobler, “vendi është në udhëkryq”.

Top Channel