Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur skeptik mbi mundësinë e implementimit të marrëveshjes së Brukselit nga ana e Serbisë.

I cituar nga mediat lokale, Mustafa ka deklaruar se Beogradi di të thotë “po” përpara komunitetit ndërkombëtar, por mbrapa u largohet marrëveshjeve.

Mustafa ka vlerësuar se edhe paralajmërimi për mbajtjen e një referendumi për paktin është vetëm një lojë, ndaj ka kërkuar ndërhyrjen ndërkombëtare.

“Faktori ndërkombëtar duhet ta shtojë ndikimin e tij që Serbia të mos ecë përpara në proçeset integruese nëse nuk i plotëson kushtet themelore të marrëveshjes”, ka thënë Mustafa.

Vetëm një ditë pas arritjes së marrëveshjes, kryetari i LDK-së dha mbështetjen e tij dhe tha se do të punojnë me qeverinë e Kosovës në mënyrë që të ushtrohet pushteti në të gjithë territorin.

“Ne shpresojmë që BE dhe SHBA do të kontribuojnë që Serbia të implementojë atë që ka marrë përsipër dhe që dialogu të mos implementohet në mënyrë dykuptimore nga organet e Kosovës dhe të Serbisë dhe të mundësohet që përmes kësaj marrëveshjeje të ushtrohet pushteti në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Mustafa.

Mustafa, duke mos u futur në detaje, tha se kishte vërejtje specifike për marrëveshjen, por partia e tij do të angazhohet që zotimet që i kanë marrë përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel të përmbushen dhe vlerësoi se marrëveshja i hap rrugë integrimit të Kosovës në BE.

Top Channel