Meksikë, masakër në “parajsë”

27/04/2013 21:40

Nëntë persona janë vrarë në shtetin Meksikan të Gerreros, në dy masakra të ndryshme që u atribuohen karteleve të drogës, dhuna e të cilëve nuk njeh kufij.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, pesë nga personat janë vrarë në lokalitetin e Akapulkos, i konsideruar dikur si një parajsë turistike, ndërsa së fundmi i kthyer në një vatër droge.

Ndërkohë, katër të tjerët janë gjetur të masakruar në një autostradë, pranë lokalitetit të njohur si Autostopi i Diellit, saktësojnë më tej burimet.

Lufta e drogës në Meksikë është ashpërsuar nga viti 2006, kur presidenti i atëhershëm Felipe Calderon futi ushtrinë kundër karteleve.

Që atëherë llogaritet të jenë vrarë mbi 50 mijë vetë, bilanc ky që ka bërë që shteti i madh latin të krahasohet me Irakun apo Afganistanin.

Gjashtë janë kartelet më të mëdha që kontrollojnë kalimin tranzit të drogës nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë: Sinaloa, Los Zetas, Tihuana, Karteli i Gjirit, Beltran Leyva dhe La Familia.

Ndërsa personi më i kërkuar nga autoritetet vendase por edhe ato amerikane e evropiane është Joachim “El Chapo” Guzman, i konsideruar si trafikanti i drogës numër 1 në botë.

Revista prestigjoze “Forbes” e futi para pak kohësh Guzman në listën e personave më të pasur të planetit, falë fitimeve marramendëse të akumuluara nga narkotrafiku.

Top Channel