Ndoshta në pamje të parë tingëllon e çuditshme, por Kukësi ka shkatërruar e turpëruar Flamurtarin në fushën e tij 6-1, duke siguruar kështu vendin e dytë dhe një vend në kupat e europës për sezonin e ardhshëm.
Një ndeshje e ashpër ku nuk mungonte presioni për të dyja skuadrat, megjithatë zgjidhin gjithçka në fillim me një 11-metërsh kuksianët, i cili shndërrohet në gol nga Allmuça.
Eshtë sërish ai që në minutën e 22-të dyfishon rezultatin duke trembur vlonjatët që të gjithë presionin e zhvillonin deri në mesfushë, pasi portieri Halilaj mbeti i pakërcënuar.
Me fillimin e pjesës së dytë është Hoxha ai që shënon golin e tretë që i vë vulën përfundimisht fitores së skuadrës së Cungut, por kuksianët me sa duket, ashtu si e kishin parapërgatitur, kërkonin goleadën dhe e gjetën.
Progni pas 5 minutash çon shifrat në 4-0 për t’i lënë radhën më pas sërish Hoxhës dhe Popoviç që shënojnë golin e 5-të dhe të 6-të.
Si për të thënë që luajtën dy skuadra është Muzaka i cili shndërron asistin e Memellit në gol, por që shërbeu vetëm për statistikë, pasi në Europë dhe në vendin e dytë tashmë janë kuksianët.
Ndërkohë, Besa ka fituar në Shkodër 0-1 duke hedhur një hap drejt sigurimit për qëndrimin në kategori, duke përfituar edhe nga një Vllazni jashtë objektivave dhe me lojtarë të rinj në fushë.
Ndërkohë Tirana nuk ka mundur të fitojë përballë skuadrës së fundit të klasifikimit, Apollonisë, e cila e ka siguruar rënien nga kategoria.
Një tjetër skuadër që duket të jetë përfundimisht jashtë Superligës, edhe pse ende jo zyrtarisht, është Shkumbini që u mund sot 1-0 nga Laçi. Ndërkohë, Luftëtari dhe Tomorri, të dyja të rëna nga kategoria, kanë barazuar 2-2.
Top Channel