Argjentinë, përleshje me policinë

27/04/2013 20:40

Policia përdori plumbat e gomës mbi protestuesit e mbledhur në kryeqytetin argjentinas, Buenos Ajres, për të kundërshtuar planet e autoriteteve vendore për shkatërrimin e një spitali psikiatrik në mënyrë që të hapet vend për një projekt të bashkisë.

Disa policë e demonstrues u plagosën gjatë përleshjeve përpara spitalit Borda. Protestën e organizuan kryesisht punonjës të spitalit e sindikalistë të cilët i kundërvihen planeve për shembjen e godinës dhe ngritjen e një qendre të re.

Mjekët e një spitali tjetër thonë se policia përdori forcë të tepruar. “Policët e rënduan shumë dorën. Protesta në fillim ishte paqësore, kthesën e dhunshme e mori vetëm pas trajtimit të egër policor”, tregon mjeku Sebastian Gatti.

Buenos Ajresi është një rajon federal me polici kombëtare dhe një forcë policore rajonale, të drejtuara që të dyja nga kryebashkiaku Mauricio Macri, kundërshtar i qeverisë së vendit. Një prej anëtarëve të këshillit bashkiak rrëfen se u qëllua dy herë ndërsa përpiqej të arsyetonte me policët.

“Nuk e kuptoj. Shikoni, një plumb më goditi në gju dhe një tjetër në kurriz teksa po tentoja të bindja policët t’i jepnin fund dhunës. Dhe ja si përfundon zyrtari që përpiqet të qetësojë gjakrat”, tregon Fabio Basteiro.

Sipas forcave të rendit, numri i efektivëve të plagosur është 10, ndërsa ai i demonstruesve të paktën tre herë më i lartë.

Top Channel