Leonardo dhe presidenti Nasser al Khelaifi janë tashmë të njoftuar: Carlo Ancelotti do të largohet në fund të sezonit nga Paris Saint Germain, për të drejtuar Realin e Madridit, me të cilin e ka arritur akordin, sipas mediave italiane.
Ish-trajneri i Juves, Milanit dhe Chelsea-t mund të marrë me vete, në kryeqytetin spanjoll, edhe Thiago Silva-n, i cili kërkohet me ngulm edhe nga Barcelona.
Konfirmohet kështu mungesa e taktit mes trajnerit dhe drejtuesve parizienë. Ancelotti do të lërë një skuadër, shumë pranë titullit të tretë në historinë e PSG-së, një titull që mungon prej 27 vitesh në kryeqytetin francez.
Megjithatë, do të gjejë një grup lojtarësh në revoltë dhe një skuadër për t’u riformatuar, pas një sezoni të tmerrshëm në La Liga dhe një epilogu shkatërrues në gjysmëfinalen e parë të Champions-it, me Dortmundin.
Akordi mes Realit dhe Ancelotti-t i hap dyert një tjetër njoftimi të bujshëm: Mourinho do të largohet, por ka refuzuar të pasojë italianin në Paris, teksa ka hyrë në tratativa me Chelsea-n, një ekip që zor se do t’i konfirmojë rrogën aktuale prej 14 milionë eurosh, që i garanton klubi “merengues”.
Parisit nuk i mbetet gjë tjetër, vecse të hidhet në sulm për trajnerin aktual të Malaga-s, Manuel Pellegrini.
Top Channel