Shembja në Bangladesh, 1 mijë viktima?

26/04/2013 09:35

Bilanci tragjik i shembjes së një godine në qendër të kryeqytetit të Bangladeshit, Dhaka ka mbërritur në 273 viktima, ndërsa me qindra të tjerë vazhdojnë të konsiderohen zyrtarisht të zhdukur, informuan të premten mediat ndërkombëtare.

Ndërtesa, strehë e një numri apartamentesh dhe një fabrike të prodhimit të veshjeve u shemb më parë gjatë javës si rrjedhojë e cilësisë së dobët të ndërtimit.

Kërkimet e forcave të shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga rënojat vetëm 40 persona të gjallë.

Duke iu adresuar kombit, kryeministri Sheik Hasina bëri thirrje që lutje të veçanta dedikuar të prekurve nga kjo tragjedi të mbahen në të gjithë vendin.

Ndërkohë, me mijëra bangladeshianë u tubuan të enjten në Dhaka, kundër mungesës së kontrollit të ndërtimeve, që në vitet e fundit ka njohur një bum në atë që është një prej vendeve më të varfëra të botës.

Protesta masive priten edhe të premten, pas faljes tradicionale për popullsinë që në shumicë është muslimane, ndaj autoritet janë vënë në alarm, duke vendosur forca policore përreth institucioneve kryesore.

Ndërkohë, mediat vendase transmetojnë imazhe rrënqethëse nga vendi i tragjedisë, ku dëgjohen nga brenda gërmadhave thirrje të dëshpëruara për ndihmë.

Një person i ngecur mes rënojave, Mohammad Altab, arriti të fliste me gazetarët nga xhepi i gërmadhave ku ndodhej, duke thënë: “Dua të jetoj, edhe pse në gjendjen që jam do të ishte më mirë të vdisja, se sa të përballoja këtë dhimbje e tmerr të padurueshëm”.

Në momentin e shembjes së ndërtesës, të ndodhur gjatë orëve të punës për shkaqe të papërcaktuara, mbi 3 mijë persona ndodheshin në të.

Per Agjensine e Lajmeve “Reuters”, nje punetor i mbijetuar tregoi se si te carat ne mure ishin shfaqur qe nje dite perpara se ndertesa te shembej, por punedhenesit kishin kercenuar punetoret qe paguheshin pak me teper se nje euro ne dite per punen e tyre te rende me heqja nga puna nese nuk do te paraqiteshin te nesermen.

Top Channel