Rusi, gjyqi ndaj liderit të opozitës

26/04/2013 01:05

Në Rusi po zhvillohet gjyqi ndaj liderit të opozitës, Aleksej Navalni, njeriu të cilit i druhet më shumë Vladimir Putin, siç thotë “Wall Street Journal”.

Seancat po mbahen në Kirov, një kryeqytet province rreth 1000 kilometra në verilindje të zonës së tij mbështetëse në Moskë.

Udhëheqësi opozitar akuzohet se ka përvetësuar 16 milionë rubla, apo mbi 500.000 dollarë, nga kompania shtetërore e lëndës drusore, Kirov Les, gjatë kohës kur punonte si këshilltar i guvernatorit të rajonit.

Ish-menaxheri i përgjithshëm i kompanisë, Vyacheslav Opalev, u deklarua fajtor për vjedhje në muajin dhjetor dhe mori një dënim katërvjeçar me kusht. Prokurorët e thirrën në seancë për të mbështetur çështjen e tyre. Navalni kërkoi të mos merret parasysh dëshmia e tij.

“Të gjitha këto zhvillime kanë patur pasoja dramatike në fatin e tij dhe këtë gjë duhet ta kujtojë mirë. U zhvillua një proces gjyqësor në këtë sallë përpara disa muajsh, kur ai mori dënim me kusht, pra kur thotë se nuk mban mend asgjë është e qartë, që është duke sajuar”, tha Aleksej Navalni, lider i opozitës ruse.

Navalni e acaroi Putin-in vitin e kaluar, kur udhëhoqi protestat masive kundër tij në Moskë. Blogu i 36-vjeçarit kundër korrupsionit ka tërhequr rreth një milionë të rinj përdorues të internetit në Rusi.

Lideri opozitar tha para gjykatës se ka ndërmend të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vendit, pas pesë vjetësh, dhe se ky proces gjyqësor nuk është gjë tjetër veçse një tentativë për ta larguar nga politika.

Top Channel