Meta: Të kthehet besimi në KQZ

26/04/2013 00:00

Kreu i LSI-së, Ilir Meta tha gjatë një konference për shtyp se, për KQZ-në ka vetëm një zgjidhje, ajo e rivendosjes së besimit dhe konsensusit që u prish në mënyrë brutale nga maxhoranca.

“Aktualisht kemi një situatë të papranueshme dhe për këtë përgjegjësia është drejtpërdrejtë e maxhorancës, e cila dhunoi Kushtetutën, Kodin dhe pavarësinë e KQZ-së. Natyrisht që zgjidhja është rivendosja e besimit, rivendosja e konsensusit midis këtyre dy forcave që kanë bërë kodin dhe ecja përpara. E theksova edhe njëherë tjetër, rivendosja e besimit, rivendosja e konsensusit. Konsensusin dihet se kush e prishi në mënyrë të njëanshme, arrogante, brutale dhe tepër të vrazhdë”, deklaroi Meta.

Meta nuk pranoi se në radhët e opozitës ka debate për emra të propozuar nga LSI, apo PBDNJ për në KQZ. Ai tha se janë vetëm diversione ndaj opozitës që nuk shkojnë.

“Besoj se opozita ka qenë dhe do të mbetet në të njëjtën linjë. Asnjë përpjekje për të sjellë dhe mbjellë diversion në radhët e opozitës nuk shkon. Opozita ka një qëndrim shumë të qartë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe për këtë çështje jemi në sintoni të plotë edhe me kolegun tonë të nderuar, zotin Dule. Për ne nuk është e rëndësishme zgjidhja e njëanshme, qoftë edhe nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim apo të çdo force tjetër politike”, nënvizoi Meta.

Kreu i LSI-së sqaroi se kjo parti do të ketë listat e saj në zgjedhjet e 23 qershorit. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë prezantimit të partisë Aleanca Popullore, si një forcë e re në koalicionin opozitar.

Meta tha se kjo forcë ka si prioritet kryesor të saj afirmimin e çështjes çame dhe zgjidhjen e saj dhe kjo në kuadër të integrimit evropian. Ai u shpreh i bindur se Aleanca Popullore do të jetë një nga surprizat e këndshme të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Top Channel