Britani, burg celulës terroriste

26/04/2013 17:05

Të paktën 11 anëtarë të një celule terroriste në Birmingam, që kishte planifikuar sulme me përmasa si ato të 11 shtatorit në Nju Jork dhe 7 korrikut në Londër, janë dënuar nga një gjykatën britanike.

Liderët e grupit ishin Irfan Naseer, Irfan Khalid dhe Ashik Ali. Naseer, 31 vjeç dhe Khalid 28 janë dënuar secili me 18 vjet burg, ndërsa Ali me 15 vjet.

Gjyqtari i çështjes deklaroi se Naseer donte që një pjesë e Birmingamit të kthehej në një “zonë të vogël lufte”. Tetë anëtarët e tjerë të rrjetit janë dënuar gjithashtu me burgime që variojnë nga 4 deri në 12 vjet burg.

Katër anëtarë të tjerë të celulës, që kishin udhëtuar në Pakistan për t’u stërvitur në kampet terroriste, janë dënuar secili me nga 40 muaj burg.

Grupi kishte planifikuar të shpërthente tetë bomba të fshehura në çanta dore, duke përdorur kohëmatës për të aktivizuar sasinë e eksplozivit.

Detektivët besojnë se komploti terrorist ishte më i madhi që është zbuluar që prej atij të vitit 2006, kur terroristët kishin planifikuar të hidhnin në erë avionë të linjave ndërkombëtare, duke përdorur bomba të maskuara si pije freskuese.

“Plani juaj kishte bekimin e Al Kaedës dhe ju synonit ta çonit deri në fund atë”, i tha gjyqtari kreut të celulës gjatë proçesit.

Top Channel