Kryeministri Sali Berisha u shpreh gjatë inagurimit të rrugës Bërxull-Domje, se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne në çdo skaj të vendit.
Berisha i ka ftuar banorët e kësaj zone t’i bashkohen Partisë Demokratike në fitoren historike të saj në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne në çdo skaj të saj. Mandati i ardhshëm do të jetë mandati i punësimit masiv të shqiptarëve. Vetëm në rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve, në rrugët rurale dhe rrugët kombëtare, janë punësuar mbi 57 mijë njerëz, por rrugët kanë sjellë edhe krijimin e dhjetëra, mijëra bizneseve, kanë nxitur prodhimin. Aty ku shkon rruga, aty nis biznesi, aty krijohet puna, aty krijohen fermat”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij Berisha sulmoi edhe kreun e opozitës Rama, duke thënë se ai shpërndan vetëm gënjeshtra. Shkoi në Shkodër, tha Berisha, dhe iu tha shqiptarëve se kjo qeveri ka ndërtuar gjithësej 600 km rrugë.
“Sot nxorri dordolecin e tij, që tha se kjo qeveri ka ndërtuar 1800 km rrugë. Por Shqipëria që shëtisim ne ka 18 mijë km rrugë”, u shpreh Berisha.
Top Channel