Siri, shkatërrohet minareja e shekullit XII

25/04/2013 02:30

Të dyja palët kundërshtare në luftën civile në Siri “ranë dakord” si rrallë herë gjatë së mërkurës, kur minareja e një xhamie të shekullit të 12-të në Aleppo u shkatërrua.

Mbetet ende e paqartë, gjithsesi, se kush e shkatërroi kullën në xhaminë “Umayyad-i i Madh”, që ka dëshmuar marshimin e 9 shekujve.

Vetëm 1 muaj më parë, një zyrtar i Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësimin për mundësinë e shkatërrimit të xhamisë, nga lufta 2-vjecare që ka shpërthyer në Siri, bëri të ditur sajti i Trashëgimisë Botërore.

Një grup opozitar fajësoi qeverinë për këtë ngjarje. “Forcat e regjimit kanë kryer sot një krim të ri kundër njerëzimit dhe trashëgimisë kulturore, duke shënjestruar minarenë e xhamisë dhe duke e shkatërruar tërësisht”, tha Komiteti Lokal Koordinativ.

Grupi në fjalë publikoi edhe një foto të xhamisë pa minarenë e saj, e cila tashmë është kthyer në rrënojë. Koalicioni Sirian fajësoi gjithashtu regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

“Sot, regjimi i Assad ndërmorri një tjetër krim ndaj historisë dhe njerëzimit, teksa kanë shkatërruar minarenë e xhamisë së Madhe të Aleppo-s. Minareja u godit nga predhat e tanqeve dhe u copëtua në tokë”, tha koalicioni në një deklaratë. “Regjimi i Assad ka bërë gjithcka mundet për të shkatërruar pëlhurën sociale të Sirisë”, shtoi ai.

Qeveria e Sirisë, gjithsesi, fajësoi një grup rebel, Jabhet al-Nusra, për shkatërrimin e minaresë. Fronti xhihadist al-Nusra në Siri është i lidhur me al-Qaeda-n në Irak.

“Terroristë nga Jabhet al-Nusra vendosën eksplozivë në një prej minareve” të xhamisë “Umayyad-i i Madh”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Syrian Arab, gjatë të mërkurës. “Një burim zyrtar tha për SANA se terroristët vendosën materiale eksplozivi në minare, si dhe në derën jugore të xhamisë, duke i aktivizuar më pas ato”.

Agjencia raportoi gjithashtu se forcat qeveritare nisën operacione speciale kundër “terroristëve të Jabhat al-Nusra në mbarë Aleppo-n”. Një burim zyrtar tha për agjencinë shtetërore të lajmeve se manovrat e tyre “rezultuan në shkatërrimin e shumë prej strofullave të tyre dhe vendeve ku tuboheshin”.

Foto, para dhe pas ngjarjes së të mërkurës

Top Channel