Boston, rikthehet normaliteti

25/04/2013 01:00

Një javë e gjysmë nga shpërthimet, që tronditën qetësinë e Amerikës dhe risollën në mendjet e qytetarëve të saj kujtimet e hidhura të 11 shtatorit, një shenjë e parë rimëkëmbjeje erdhi në rrugën e Bostonit, të shndërruar në skenën e fatkeqësisë.

Pjesa e saj, e dëmtuar nga shpërthimi, u mbulua me çimento. “Po kaq të fortë sa çimentoja janë edhe njerëzit e këtij qyteti”, tha njëri prej punëtorëve. “Ata bashkohen me njëri-tjetrin pa hezitim në rast nevoje”. Shtresa e betonit në rrugë nënkupton edhe rikthim në normalitet për banorët e Bostonit, ku jeta, për një javë, pothuajse ishte paralizuar.

Dy viktimat e shpërthimeve në maratonë u varrosën një ditë më parë. Tetë-vjeçari Richard Martin u kujtua në një shërbim funeral privat. Ai u vra të hënën e kaluar, duke pritur në vijën e finish-it të atin, për t’i dhënë një përqafim në përfundim të garës.

E ëma dhe motra e vogël u plagosën rëndë. Vogëlushja humbi njerën këmbë nga shpërthimi, që ndodhi shumë pranë tyre. Po të martën u përcoll në banesën e fundit edhe Sean Collier, oficer sigurie i Institutit Teknologjik të Massachusetts-it, i cili vra tre ditë pas shpërthimeve, ndërsa të dyshuarit po ndiqeshin nga policia.

Kryetari i Bashkisë së Bostonit, Thomas Menino, njoftoi se një fond për të ndihmuar viktimat e bombardimeve ka arritur në 20 milionë dollarë, në më pak se një javë, një përgjigje e jashtëzakonshme për ndihmë nga e gjithë bota.

Hetuesit amerikanë, ndërkohë, kanë shkuar në Republikën ruse të Dagestanit, për të intervistuar prindërit e dy të dyshuarve për shpërthimet e javës së kaluar. Zyrtarët e Ambasadës amerikane thanë se ekipi i hetuesve po punon me qeverinë ruse.

Një nga të dyshuarit, Tamerlan Tsarnaev, bëri një vizitë gjashtë mujore në Dagestan e Çeçeni vitin e kaluar dhe hetuesit duan të dinë, nëse 26-vjeçari pati kontakt me ndonjë ekstremist radikal gjatë udhëtimit të tij.

Top Channel