Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Eurointegrime, Fatmir Besimi, vlerëson se marrëveshja për normalizmin e marrëdhënieve e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit është një shembull i mirë që duhet të ndiqet nga Shkupi dhe Athina për zgjidhjen e problemit 20-vjeçar të emrit kushtetues të Maqedonisë.

“Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë është një hap i guximshëm për integrimet evropiane në gjithë rajonin dhe mund të jetë si shembull i mirë për të përcjellë edhe në rastet tjera në rajon, por edhe në rastin e Maqedonisë dhe Greqisë, ashtu siç bëri më herët Sllovenia me Kroacinë”, ka deklaruar Besimi.

“Por duhet të kemi parasysh se çdo vend, çdo temë ka speciafikat e veta. Gjithësesi, si qasje është një hap i guximshëm dhe shembull që duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera të rajonit në emër të integrimeve euro-atlantike, që sigurojnë dhe garantojnë paqe, siguri e zhvillim për vendet rajonit”, ka nënvizuar ai.

Çështja e pazgjidhur e emrit kushtetues po mban të bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në proçeset euro-atlantike. Bashkësia ndërkombëtare, së fundmi edhe përmes baroneshës Catherine Ashton, i ka bërë me dije liderëve maqedonas, se zhbllokimi i proçeseve integruese varet nga tejkalimi i problemit me Greqinë.

Megjithatë, zoti Besimi përjashtoi zërat për presione nga faktori ndërkombëtar lidhur me emrin. Sipas tij, presioni më i madh për të gjetur zgjidhje për këtë çështje vjen nga qytetarët e Maqedonisë, të cilët në përqindje shumë të lartë janë shprehur pro integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Top Channel