SHBA, masakër në Illinois, 5 të vdekur

24/04/2013 21:30

Një familje e tërë është shfarrosur nga tërbimi vrasës i një personi në Mançester, një fshat prej 300 banorësh në Illinois të Shteteve të Bashkuara.

Autori i masakrës ka vdekur më pas në spital, pas një konflikti të armatosur me policinë. Agjentët u njoftuan nga dikush që kishte dëgjuar të shtëna armësh zjarri të ardhura nga një banesë në katin e parë të një ndërtese.

Kur kanë hyrë në apartament, agjentët kanë gjetur të vrarë trupat e Joanne Sinclair, 69 vjeç, të mbesës së saj Brittany Luark, 22 vjeç dhe të të dashurit të saj, Roy Ralston, si dhe dy fëmijët e mitur të çiftit: Nolan dhe Bradley Ralston, përkatësisht 5 dhe 1 vjeç.

Në gjendje të rëndë është Cassidy Raston, fëmija tjetër i çiftit, 7 vjeç. Sipas raportimeve të “Chicago Tribune”, ende nuk është e qartë se si janë vrarë 5 personat.

Vetë policia, që më parë kishte folur për një shkëmbim zjarri, tani deklaron se mënyra e masakrës mbetet ende për t’u përcaktuar.

I dyshuari është arrestuar, ka sqaruar më vonë kryetari i bashkisë së Mançesterit, Ron Drake, 10 minuta pasi agjentët e kishin lokalizuar. Sapo i dyshuari ka rënë në duart e policisë janë dëgjuar të shtëna të tjera, por nuk dihet ende nga kanë ardhur ato.

Më pas autori i masakrës është transportuar në spital, ku ka ndërruar jetë. Ngjarja ka bërë që autoritetet të urdhërojnë mbylljen e shkollave në tre lokalitete, Northgrin, Uinçester dhe Xheksonvill.

Ngjarja në fjalë ndodh në një moment kur populli amerikan nuk e ka mbledhur ende veten nga atentati në maratonën e Bostonit, që u mori jetën tre personave dhe plagosi rreth 170 të tjerë.

Top Channel