Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka vendosur që të tërhiqet, nga forumi i liderëve të partive politike parlamentare për reformën elektorale. Arsyetimin për këtë vendim e ka dhënë anëtari i kryesisë së kësaj partie, Avni Arifi, pasi në takim ka munguar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Shpreha qëndrimin se puna e këtij forumi është konsumuar mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë që të vazhdohet më tutje. AAK konsideron se ky proces duhet të kthehet në Parlament dhe aty të finalizohet”, tha Avni Arifi, anëtar i kryesisë së AAK-së.

Por, pavarësisht kësaj, liderët e partive politike kanë vendosur që të vazhdojnë më tutje, edhe pse të martën ata nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, përveçse janë arritur disa përafrime.

Në takimin e radhës është diskutuar sërish çështja e vendeve të rezervuara në Kuvend për minoritetet. Ato parashikohen në pakon e Ahtisaarit, sipas të cilit 20 vende janë të siguruara në dy mandate, por kjo kategori mund të marrë edhe vendet shtesë në bazë të votave të fituara.

Thirrësi i këtij takimi, Behgjet Pacolli, ka thënë se partia e tij, por edhe PDK, AAK, PD, partia serbe SLS dhe ajo turke KDTP pajtohen. Por, kundërshti kanë shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Nëse e shoh mbarëvajtjen e krejt procesit, të këtyre dy mandateve që kemi pasur, kam hetuar se kjo mënyrë e mbarëvajtjes së proceseve ka qenë ideale. Nuk jemi përballur me momente problematike në Parlamentin tonë”, tha Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re.

“Ky diskriminim pozitiv që është bërë, mendoj se është i mjaftueshëm. Iu ka krijuar koha dhe hapësira e akomodimit me realitetin e ri, që ky vend është i pavarur, është shtet dhe tashmë mund të marrin pjesë t’i fitojnë votat. Realisht është edhe antikushtetuese. Me pakon e Ahtisaarit kjo përfundon tani”, tha Ismet Beqiri, sekretar i përgjithshëm i LDK-së.

“Për shkak se jemi për barazi, dmth deputetët aktualisht në Kuvend nuk janë të barabartë, sepse disa i kanë pasur vendet e rezervuara, atëherë kjo është shkelje e barazisë si vlerë dhe synim që duhet të jetë në Republikën tonë”, tha Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes.

Po ashtu, ndër çështjet e tjera të diskutuara në këtë takim ishte se si të bëhet zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës. Të gjithë drejtuesit e partive janë deklaruar pro zgjedhjes drejtpërdrejt nga populli, me përjashtim të Vetëvendosjes, lideri i së cilës ka thënë se është kundër, pasi Kosova është Republikë Parlamentare dhe se presidentin duhet ta zgjedhë Kuvendi.

Top Channel