Dy grupe të të drejtave të njeriut akuzuan të mërkurën Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për dhunim të fjalës së lirë dhe të drejtës për të protestuar, që prej rikthimit në krye të Kremlinit në shkurt 2012.
Sipas “Human Right Watch” dhe “Amnesty International”, liria në Rusi është përkeqësuar, ndikuar edhe nga miratimi i disa ligjeve që lejojnë autoritetet të shpërndarjnë forcërisht protestat e konsideruara “të paligjshme” dhe mbylljen e organizatave joqeveritare me financim nga jashtë.
”Në vitin që prej rikthimit të Vladimir Putin në presidencë, qeveria ruse ka ndërmarrë një shtypje të paprecedent të shoqërisë civile, në historinë post-sovjetike të Rusisë”, deklaroi “Human Right Watch”.
”Dy ligje të reja dhe 11 amendime ligjesh kanë ndikuar në shtypjen e të drejtës së shprehjes së lirë, grumbullimit dhe manifestimit paqësor. Përballë këtyre reformave arbitrare, disidenca dhe zëri i shoqërisë së lirë po shuhet dita ditës”, protestoi me nota të ashpra “Amnesty International”.
Ndërkohë, pa u ndikuar nga këto konstatime të dy prej OJQ-ve më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e të drejtave civile, ditën e mërkurë rinisi gjyqi ndaj një prej kundërshtarëve kryesorë të Vladimir Putin, disidentit Alexei Navalny, i akuzuar për korrupsion dhe përvetësim të fondeve publike.
Pak ditë më parë, presidenti Putin theksoi se nuk ka ndërmend të falë as dy përfaqësueset e një grupi muzikor, “Pussy Riot”, të cilat po vuajnë dënim me burgim në disa qëndra izolimi në Siberi, për shkak se hynë në një kishë, ku kënduan me sllogane kundër Putin.
Për autoritetet ruse, një performance e tillë, që dhunoi kishën, ishte një “vepër flagrante huliganizmi”, e dënueshme me burgim pavarësisht presionit ndërkombëtar për lirimin e këngëtareve.
Top Channel