Baronesha Catherine Ashton përgëzon Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi
dhe atë të Serbisë Ivica Daçiç për guximin e treguar për nënshkrimin e
një marrëveshjeje historike që do të normalizojë lidhjet mes dy vendeve.

“Nuk isha e sigurt se do të arrinim një marrëveshje, deri në momentin që dy kryeministrat e firmosën atë. Vërtet që nuk e dija”, thotë Ashton, në një intervistë për BBC.

Baronesha ishte negociatore e bisedimeve të ndara në 10 raunde mes Daçiç dhe Thaçit.

Marrëveshja e arritur të premten nuk do të thotë që Serbia njeh pavarësinë e Kosovës, por me anë të saj, pranon që Qeveria e Prishtinës ka autoritet ligjor në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun, banorët e të cilit refuzojnë të njohin Qeverinë. Janë rreth 50 mijë serbë, të cilët jetojnë në të paktën një të pestën e territorit të Kosovës, ku herë pas herë ka patur episode dhune sporadike që prej përfundimit të luftës në vitin 1999.

Teksti i marrëveshjes i jep serbëve të Kosovës përfaqësuesit e vet të policisë dhe drejtësisë, por të përfshirë në sistemin kosovar. Po ashtu bëhet e qartë se disa detaje ende nuk janë finalizuar. Këtu përfshihet cështja e diskutimeve për energjinë dhe rrjetin telefonik.

“Kam dëgjuar këto ditë fjalën ‘historike’ dhe ndoshta kështu është duke parë se si ka qenë e kaluara e këtyre dy vendeve”, thotë Ashton.

Top Channel