Kanada, ndalet sulmi terrorist

24/04/2013 00:25

Njëri nga dy të arrestuarit në Kanada, me dyshimin se po planifikonin të nxirrnin nga shinat një tren pasagjerësh, ka dalë përpara gjykatës.

35-vjeçari Raed Jaser nuk bëri ndonjë deklaratë, gjatë seancës së shkurtër dëgjimore, ndërsa në gjyq do të dalë shumë shpejt edhe i ndaluari i dytë, Chiheb Esseghaier, 30 vjeç.

Zyrtarët kanadezë thanë që në fillim se, komploti kishte mbështetjen e al-Qaeda-s në Iran, pretendime këto të hedhura poshtë me forcë nga republika islamike.

Ministri i Jashtëm i saj, Ali Akbar Salehi, i quajti pohimet një “trillim qesharak”. Al-Qaeda, lëvizje militante islamike salafiste, predikon një ideologji radikale anti-shiite, që normalisht duhet ta vendosë në armiqësi me shiitët iranianë.

Regjimi i Ajatollahëve dhe Kanadaja nuk kanë marrëdhënie diplomatike, që prej vitit 2012. Esseghaier dhe Jaser janë përkatësisht nga Montreal dhe Toronto. I pari, sipas raporteve në media, është me kombësi tuniziane, ndërsa i dyti është nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ka prejardhje palestineze.

Në një deklaratë të saj, policia tha se të dyshuarit kishin “kapacitetin dhe qëllimin” të kryenin një sulm ndaj publikut, punonjësve të trenave, udhëtarëve apo infrastrukturës hekurudhore.

Autoritetet sqaruan gjithashtu se, të ndaluarit ishin në fazën e planifikimit të sulmit ndaj trenave të pasagjereve, në Toronto, dhe se komploti, sipas tyre, nuk kishte lidhje me shpërthimet e javës që shkoi, gjatë Maratonës së Bostonit, në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel