Gjermani, gjurmohet kuzhinieri i Aushvicit

24/04/2013 16:25

Prokuroria e qytetit gjerman të Shtutgartit konfirmoi se është duke hetuar një ish-zyrtar nazist për krimet e ndodhura gjatë Luftës së Dytë Botërore në kampin e përqëndrimit të Aushvicit.

93-vjeçari Hans Lipschis punoi në kampin e vendosur në Poloninë e pushtuar si një kuzhinier, por dyshohet se ai është i përfshirë në krime të ndodhura ndaj të burgosurve në kampin famëkeq.

Emri i Lipschis figuron në vendin e katër të qendrës hebrehe “Simon Wiewsenthal”, për nazistët më të kërkuar ende në jetë.

Mediat gjermane kanë arritur të zbulojnë se ai jeton në Aalen, në jug të Gjermanisë. i moshuari nuk është ngarkuar ende penalisht.

93-vjeçari është midis 50 anëtarëve të stafit të Aushvicit, që po rihetohen së fundmi nga autoritetet gjermane.

Aushvici ishte kampi më i madh i vdekjes në Gjermanisë Naziste dhe vendi ku u mbytën në gaz apo forma të tjera 1,1 milionë persona, shumica prej të cilëve hebrenj.

Top Channel