Bombat në Maratonën e Bostonit

24/04/2013 01:15

Policia amerikane vazhdon të përsërisë se dy atentatorët e Bostonit kanë vepruar të vetëm, duke i pasuruar pohimet e saj me një detaj që konfirmon këtë pretendim: vëllezërit, sipas gjasave, kanë mësuar t’i prodhojnë bombat, e përdorura për sulmet në maratonë, duke shkarkuar udhëzime nga interneti.

Ekspertët, megjithatë, nuk binden nga një teori e tillë. Ata e pranojnë se interneti është i mbushur vërtet me formula e instruksione, por ato nuk janë të plota e ndonjëherë, madje, janë hedhur qëllimisht të gabuara në rrjet, për t’i vështirësuar punën terroristëve, që bombat duan t’i krijojnë vet.

Vëzhguesit vazhdojnë të jenë të mendimit se Tamerlan Tsarnaev, vëllai i madh i vrarë gjatë shkëmbimzjarrit me policinë, mund të ketë pasur kontakte me një person të stërvitur mirë, që i ka mësuar ndoshta edhe teknikat e prodhimit të bombave.

Një personazh i tillë mund të gjendet edhe brenda Shteteve të Bashkuara, ose mund ta ketë takuar gjatë udhëtimit, që 26-vjeçari bëri në Kaukaz në 2012-tën.

Zëri i Amerikës thotë se, këtë javë, ligjvënës në Kongres do t’iu drejtojnë pyetje zyrtarëve të lartë të sigurisë, për të sqaruar se si e përdori Byroja Federale e Hetimeve informacionin e nxjerrë, nga një intervistë me Tamerlan Tsarnaev-in.

Kohë më parë, FBI-ja e mori në pyetje të riun, lidhur me qëndrimin e tij për gjashtë muaj në Dagestan dhe Çeçeni, vitin e kaluar. Ajo ishte njoftuar nga zyrtarët rusë se 26-vjeçari mund të kishte lidhje me ekstremistët, por edhe pse hetoi mbi aktivitetin e tij, nuk e identifikoi si kërcënim të mundshëm.

Kryetarja e komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit, Dianne Feinstein, deklaroi se anëtarët e tij do të përpiqen ta sqarojnë këtë, në një seancë me dyer të mbyllura.

Edhe Dhoma e Përfaqësuesve do të informohet mbi situatën nga zyrtarë të sigurisë. Vëllai i Tsarnaev-it, 19-vjeçari Dzhokhar, rrezikon dënimin me vdekje, nëse shpallet fajtor për akuzën e përdorimit të një arme të shkatërrimit në masë.

Top Channel