Atentati i Bostonit, lojë elektronike

24/04/2013 21:10

Një person vrapon në ekranin e një kompjuteri, në sfond janë pallatet e një qyteti amerikan dhe qëllimi i tij është të shmangë bombat që i vendosen përgjatë rrugës.

Janë këto ingredientët e “The Boston Marathon: Terror on the Streets”, lojë elektronike që ironizon atentatin terrorist të 15 prillit në Boston.

Në kulmin e parodisë bombat përfaqësohen nga tenxhere me presion, por është finalja e lojës që tregon më të keqen.

Në rast se goditesh nga bomba shfaqet një person në karrike me rrota, që thotë: “Ta hodhën! Do të kesh më shumë fat vitin tjetër”.

Ndërsa në rast fitoreje në ekran shfaqet vlerësimi i zakonshëm: “Urime! I mbijetove Maratonës së Bostonit”, me një person që nga gishtin nga qielli në shenjë fitoreje.

Teksti vijon duke përshkruar terroristët si “idiotë” dhe më pas: “Të gjithë gëzojnë. Bota është e sigurtë dhe ti mund të bësh seks me bashkëshorten e Barack Obama”.

Trajleri i lojës elektronike është hequr menjëherë nga YouTube, por mund të gjendet në faqe të tjera interneti si Vimeo, ndërkohë që pas pak orësh bllokim edhe faqja e autorëve të lojës ka rifilluar të funksionojë, duke mundësuar shkarkimin falas.

Autorë të kësaj loje janë dy anëtarë të Lolokaust, një grup i njohur “të fortësh”, që me fjalët dhe veprimet e tyre pengojnë rrjedhën normale të jetës online.

Ata janë të njohur për parodi të tilla, saqë në të kaluarën kanë publikuar lojra si “Pico’s School”, “Ethnic Cleansing” dhe “Kindergarten Kill”, që u referohen masakrave të ndryshme.

Top Channel