Siri, rrëmbehen dy priftërinj

23/04/2013 00:00

Militantë në një zonë të kontrolluar nga rebelët në veri të Sirisë kanë rrëmbyer dy priftërinj që po udhëtonin nga kufiri turk për në qytetin e Alepos.

Pengmarrja është raportuar nga media shtetërore siriane dhe konfirmuar nga një anëtar i lidershipit opozitar.

Yohanna Ibrahim është kreu i Kishës Ortodokse Siriane në Alepo dhe Boulos Yaziji drejton Kishën Ortodokse Greke në të njëjtin qytet. Ende nuk është e qartë se kush i ka rrëmbyer ata.

Të krishterët përbënin rreth 10 për qind të popullsisë me shumicë sunite në Siri, para se vendi të përfshihej nga lufta dy vjet më parë.

Sipas OKB-së, të paktën 70 mijë persona janë vrarë nga lufta civile dhe mbi 1 milion po jetojnë si refugjatë në vendet fqinje.

Televizioni shtetëror njoftoi se një “grup terrorist i armatosur” kishte rrëmbyer dy priftërinjtë teksa ata po zhvillonin një mision humanitar në rrethinat e Alepos.

Abdulahad Steifo, një anëtar i Koalicionit Kombëtar Sirian, deklaroi se priftërinjtë ishin rrëmbyer rrugës për në Alepo, në kryqëzimin e kontrolluar nga rebelët, Bab al Haua, që është fare pranë qytetit turk të Rejhanlit. I pyetur se kush mund të jetë prapa pengmarrjes, ai tha: “Të gjitha mundësitë janë të hapura”.

Banorët e krishterë të Alepos, duke folur në kushte anonimati, thanë për agjencinë e lajmeve “AFP” se persona të armatosur kishin vrarë shoferin e priftrinjve.

Top Channel