Irak, policia përplaset me sunitët, viktima

23/04/2013 21:45

Më shumë se 20 persona mbetën të vrarë në përplasjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve arabë-sunitë në protesta të ndodhura në veri të Irakut, lajmëruan të martën mediat ndërkombëtare.

Dhuna shpërtheu kur forcat e sigurisë bastisën një kamp anti-qeveritar në Havija, pranë Kirkukut.

Dy ministra sunitë paraqitën dorëheqjen e tyre në formë indinjimi për incidentin e ndodhur.

Kjo është përplasja më serioze midis forcave të sigurisë dhe protestuesve sunitë në muajt e fundit.

Ndonëse dhuna në Irak është larg niveleve kulmore të 2007-s, tërheqja e vitit të shkuar e forcave amerikane dhe koalicionit nga vendi, nxiti një luftë të përgjakshme fetare në vendin e përzjerë midis sunitëve, shiitëve dhe pakicave të tjera fetare.

Sipas protestuesve, qeveria e kryeministrit Nouri al-Maliki diskriminon popullsinë sunite, por Bagdadi zyrtar përgënjeshtron, duke i konsideruar protestuesit si të infiltruar nga militantët islamikë.

Top Channel