Holandë, burgoset spiuni rus

23/04/2013 15:20

Një ish-punonjës i Ministrisë së Jashtme të Holandës u burgos për 12 vite, pasi kaloi disa qindra informacione të ndjeshme politike dhe ushtarake në Rusi.

Spiuni 61-vjeçar, Raymond Poeteray, i ofroi Shërbimeve Sekrete Ruse (FSB) dokumente të detajuara të aktivitetit të NATO-s në Libi.

Poeteray i kalonte dokumentet një çifti në Gjermani, që gjithashtu janë në gjykim si spiunë të Rusisë.

Gjykatësi i çështje theksoi se motivet e 61-vjeçarit nuk ishin “ideologjike”, por vetëm financiare.

Midis dokumentave të dërguar në Moskë përfshiheshin edhe informacione të aktivitetit të NATO-s dhe Bashkimit Europian në Afganistan e Gjeorgji.

”Nga provat e grumbulluara, rezultoi se i pandehuri i ofronte prej vitesh dokumenta konfidencialë Federatës Ruse, me kërkesë të Shërbimeve Sekrete Ruse”, shkruhej në verdiktin e dënimit të tij.

Midis janarit 2009 dhe gushtit 2011, Poeteray u pagua të paktën me 72 mijë euro për shërbimet e tij.

Ai u zbulua vetëm pas arrestimit të çiftit ndërlidhës në Gjermani.

Top Channel