Në seancën e shqyrtimit kryesor në rigjykimin e rastit për krime lufte i njohur si rasti “Kleçka”, në të cilin po akuzohen deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij ka dëshmuar Sokol Dobruna.

Dëshmitari, i njohur deri më tani si dëshmitari “A”, sot me vet dëshirë e ka bërë të ditur identitetin e tij. Ai ka folur për përgjegjësitë që i ka pasur lidhur me burgun e improvizuar në Kleçkë, trajtimin e të burgosurve, ku një ndër ta ishte edhe Blerim Kuçi, për të cilin ka thënë se ka qenë i burgosur nën arsyetimin për dezertim dhe vendimi për këtë rast ka qenë me pushkatim.

Ky vendim nuk ishte ekzekutuar pasi asokohe ligjet e luftës nuk e lejonin një gjë të tillë dhe sipas Dobrunës si rrethanë lehtësuese ndaj tij, është marrë vendim që zotit Kuçi t’i formohet një njësit ushtarak për të dëshmuar vetën në luftën e UÇK-së, të cilën detyrë tha se e ka kryer më përkpikmëri.

Dobruna duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Maurisio Salustro ka pranuar se ka ekzistuar një burg i improvizuar në Kleçkë, ku sipas tij pjesa më e madhe e të ndaluarve në atë burg ishin civil.

I njohur gjatë luftës si “Petrit Ujmiri”, ai ka thënë se ndër të ndaluarit në burg kanë qenë edhe dy qytetarë të nacionalitetit serb të cilët kur i ka vizituar njërin e ka gjetur të vdekur në trupin e të cilit vëreheshin shenja torture, kurse personi tjetër serb ishte i gjallë, por me probleme shëndetësore.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga mjekët që të vërtetojnë shkaktarin e vdekjes së serbit. Sipas tij, të dy ishin vëllezër dhe se ata ishin policë lokalë serb. Dobruna ka thënë se kurrë s’e ka parë raportin mjekësor mbi shkaqet e vdekjes së tij, por që në konsultim me Bislim Zyrapin të dy personat ia kanë dorëzuar OSBE-së.

Më tej Dobruna ka deklaruar se i ndjeri Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X, mbi ditarët e të cilit mbështetet aktakuza e prokurorit, ka qenë përgjegjësi kryesor për burgun e improvizuar në Kleçkë.

Pas përfundimit të seancës, Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj ka thënë se dëshmia e dhënë nga Sokol Dobruna, ka qenë e sinqertë dhe sipas tij vërteton se as Limaj, por as të tjerët nuk mbajnë përgjegjësi për ato që akuzohen.

Top Channel