Siri, numër rekord viktimash

22/04/2013 15:50

Trupat e pajetë të 566 personave, të vrarë gjatë një periudhe gjashtë ditore në Siri u gjetën ditën e hënë, lajmëroi Komiteti Lokal i Koordinimit në Siri, një grup opozitar me burime të besueshme brenda vendit.

Ky është numri më i lartë i viktimave të zbuluara në një ditë të vetme që prej fillimit të luftës në mars 2011, tha zëdhënësi i këtij organizmit, Rafif Jouejati.

Të paktën 450 trupa të pajetë u gjetën në lagjen periferike të kryeqytetit Damask, Jadidat al-Fadel.

Gjatë gjashtë ditëve të fundit, rreth 3 mijë anëtarë të ushtrisë së Assad sulmuan këtë zonë të mbajtur nga kryengritësit, duke shkaktuar 300 viktima në civilë, rreth 150 në radhët e rebelëve dhe të tjerë ushtarë apo persona të paidentifikuar.

Sipas KLKS-së, zbulimi tronditës i një numri kaq të madh personash të pajetë është një provë e re për krimet brutale të regjimit.

Në një deklaratë paralele, qeveria siriane njoftoi se ishte vendosur nën kontroll lagjia e Jadiadetit dhe se një numër i “paspecifikuar” terroristësh ishin eliminuar.

Në më shumë se dy vite luftë civile, të paktën 70 mijë sirianë janë vrarë sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por burime të tjera të opozitës e ngrenë numrin e viktimave deri 120 mijë.

Top Channel